Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës së thirrur nga deputetët e Vetëvendosjes, ka folur për vonesën e nisjes së zbatimit të sigurimeve shëndetësore.
Ai ka thënë se sigurimet shëndetësore janë brengë e mijëra qytetarëve dhe do të ishin zgjidhje për familjet që nuk kanë kushte për të paguar shërimin, raporton Ekonomia Online.
Ismaili ka fajësuar qeverisjet e kaluara për dështimet në sektorin e shëndetësisë. Ka thënë se sigurimet shëndetësore nuk bën të mbeten peng i projekteve të Sistemit Informativ në Shëndetësi (SISh).
“Sigurimet shëndetësore për kohë të gjatë janë konsideruar si çelës për zgjidhjen e te gjitha problemeve ne sektorin e shëndetësisë, si pagesat e mjekëve, investimet ne spitale, çështjet qe kane te bëjnë me përmirësimin e menaxhimit të institucioneve shëndetësore. Por, qëllimi kryesor i Sigurimeve Shëndetësore nuk është ky. Nuk janë institucionet shëndetësore, por janë qytetarët”, ka thënë Ismaili, në foltoren e Kuvendit.
Sipas kreu të MSh-së, sigurimet shëndetësore do të jenë zgjidhje për familjet kosovare që nuk i kanë kushtet për ta paguar shërimin, për qytetarët që shërimi mjekësor i varfëron, ua harxhon kursimet, e ndoshta edhe kapitalin familjar.
“Sigurimet shëndetësore janë mburojë financiare për qytetaret tanë. Si e tillë duhet dizajnuar dhe implementuar. Sigurimet shëndetësore nuk kanë nevojë të jenë peng të projekteve te SISH-it, protokolleve, ose rregulloreve”.
Ministri Ismaili tha se Ministria e Shëndetësisë tashmë ka arritur të hartojë një plan i cili parasheh që brenda 18 muajve të realizohet implementimi i SISH-it në tërë Kosovën.
Ismaili tha se i ka ftuar në dëgjim publik të gjithë përfaqësuesit e kompanive farmaceutike dhe u ka bërë të qartë se Kosova nuk do të lejojë dhe nuk do të blejë më asnjë ilaç më shtrenjt sesa në tregun privat apo në shtetet fqinje.
Ismaili ka bërë të ditur se me ardhjen e tij në krye të shëndetësisë e ka rritur buxhetin në mbi 200 milionë duke siguruar më shumë buxhet për furnizim me barna, investime kapitale dhe për punësimin e mbi 300 mjekëve e infermierëve në mënyrë që, siç tha, të ofrohen shërbime shëndetësore cilësore për qytetarët e Kosovës.
Ai tha po ashtu se në shëndetësinë kosovare është duke u reformuar edhe administrata e cila duhet të shërbejë për lehtësimin e punës së mjekëve.
Në emër të VV-së, e cila e ka thirrur këtë interpelancë, foli Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Ajo tha se ligji për sigurime shëndetësore është dashur të miratohet qysh moti. “Tash e 15 vite tema ndoshta më e përfolur është mosimplementimi i njërit prej ligjeve më bazike që kanë të bëjnë direkt me jetën e njerëzve dhe shëndetin tonë. Është mosimplementimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe ky dështim mund t’i faturohet të gjitha qeverive të mëparshme”, theksoi Mulhaxha-Kollçaku.
“Qysh në janar të vitit 2005, në Kuvend të Kosovës është dashur të miratohet Ligji për Sigurimet Shëndetësore dhe tash e 13 vite ne do ta kishim një ligj të zbatueshëm. Edhe pse parakusht për implementimin e Ligjit për Sigurimet është SISh-i, faktikisht rritja e sëmundshmerisë është e tillë që të gjithë ne mund të kontribuojmë në të ashtuquajturin SISh me të dhënat që i disponojmë vetë nga familjet, lagjet, sepse e dimë që aq shumë janë në rritje sëmundjet, në veçanti ato kronike, jongjitëse dhe ato malinje”.
“Nevoja për implementimin e këtij ligji dhe presioni për zbatimin e tij vetëm sa do të jenë në rritje”, shtoi ajo.