Komiteti për mbrojtje dhe shpëtim për paranadalimin e përhapjes së Covid-19, i kryesuar nga nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, kanë qëndruar sot në Zhegër dhe Vrapçiq, pas konfirmimit të dy rasteve të prekura me Covid-19.
Ismajli, në konferencën e jashtëzakonshme për media, tha se janë kontaktuar të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër kanë pasur kontakt me dy personat e infektuar.
“Në emër të kryetarit Lutfi Haziri, Komiteti për mbrojtje dhe shpëtim për parandalimin e Covid-19, sapo u kthyem nga terreni, përkatësisht nga fshatrat, Zhegër dhe Vrapçiq, që për fat të keq janë prekur prej këtij virusi dy raste. Mund të konfirmoj se janë kontaktuar të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër kanë pasur kontakt me dy personat e infektuar. Falë angazhimit të policisë dhe mjekëve, e kemi listën e këtyre personave. Gjendja është nën kontroll dhe i lus qytetarët që t’i përmbahen rregullave të institucioneve”, ka thënë Ismajli.
Drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, Dr. Ajhane Sefiu, ka njoftuar se së bashku me ekipet mobile kanë vizituar dy familjet, në Zhegër dhe Vrapçiq, ku i janë udhëzuar që t’i përmbahen rregullave për parandalimin e Covid-19.