Inspektorati i Punës pas ankesës së ish-kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi, i ka dhënë të drejtë këtij të fundit, për shkarkimin nga pozita që kishte.
E, pas këtij vendimi, Istrefi ka shkruar në Facebook, ku thotë se sot zyrtarisht u konfirmua që ai ka të drejtë.
I njëjti madje thuhet se është i lumtur që do të rikthehet aty ku ka qenë.
Ky është postimi i plotë i tij:
Ashtu siç kam paralajmëruar ditën e parë për vendimin e paligjshëm dhe arbitrar të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës për shkarkimin tim nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, sot u konfirmua edhe zyrtarisht se unë kam pasur të drejtë. Kjo për faktin se Inspektorati i Punës sot ka vendosur në favorin tim duke e bazuar si të kundërligjshëm vendimin e datës 25.04.2020 të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve.
Inspektorati i Punës sot konstatoi se ai vendim ishte në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të Punës, me Statutin e Telekomit të Kosovës si dhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me rastin e shkarkimit tim mbi bazën e nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike Nr.03/L-087.
Ky vendim i sotëm dëshmojë edhe një herë se spektakëli dhe insinuatat e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve ishin thjeshtë dhe vetëm një veprim i kundërligjshëm për të përmbushur qëllimet e tyre politike, qëllime këto plotësisht tendencioze saqë e dëmtuan dhe përkeqësuan rëndë imazhin e kompanisë sonë.
Siç dihet që në ditën e parë, anëtarëve të përkoshëm të këtij bordi, u kam ofruar bashkëpunim të plotë profesional dhe ligjor, ndërsa synimi i tyre parësor paska qenë të ndërmarrë vendime të kundërligjshme duke prodhuar spektakël mediatik me proklamimin e shkarkimit të zyrtarëve të lartë të kompanisë sonë.
Jam i lumtur që do të rikthehem aty ku së bashku me stafin dhe tërë punonjësit e Telekomit të Kosovës kemi bërë dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të rimbëkëmbur kompaninë tonë dhe për t’iu ofruar gjithë konsumatorëve të saj shërbime dhe produkte sa më cilësore.