Dega e Aleancës Kosova e Re në Fushë Kosovë, sot në prani të një numri të madh të përkrahësve të partisë, ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor të degës në këtë Komunë.
Punimet e këtij Kuvendi i hapi koordinatori i degës së AKR-së në Fushë Kosovë, Isuf Ahmeti i cili duke i falënderuar delegatët e pranishëm tha se puna e mirë dhe vizioni i Presidentit Behgjet Pacolli, janë arsyeja kryesore e rritjes së përkrahjes qytetare për Aleancën Kosova e Re.
Kuvendin me një fjalë rasti e përshëndeti edhe koordinatori i Zgjedhjeve në AKR, Vesel Makolli, i cili tha se Kosova është vend me potencial për të ofruar të mira për të gjithë, por këto të mira sipas Makollit, i shijon vetëm një pjesë e vogël e njerëzve të lidhur me pushtetin. Duke i uruar punë të mbarë Kuvendit, ai tha se vetëm me AKR-në dhe presidentin Behgjet Pacolli, mund të arrihet zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike.
Më pas Kuvendi i ka vazhduar punimet, ku nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 130 delegatëve, me shumicë votash Kryetar i degës së AKR-së në Fushë Kosovë është zgjedhur Isuf Ahmeti.
Duke i falënderuar delegatët e për besimin e dhënë, Ahmeti tha se në Aleancën Kosova e Re kanë aderuar njerëz të rinj të cilët duan të shohin realizimin e shumë projekteve të planifikuara në programin e AKR-së, gjë që do të bëjë kthesë të madhe në aspektin ekonomik.
“Me AKR-në dhe presidentin Pacolli do të arrijmë zhvillimin ekonomik të vendit. Ky është synim i arritshëm sepse prioritetet e Aleancës Kosova e Re janë ekonomia dhe punësimi”, ka shtuar ai.
Më pas Kuvendi ka vazhduar punimet duke zgjedhur kështu edhe strukturat tjera udhëheqëse si dhe Kryesinë e degës.