Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se nisja e trenit nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës ka pasur për qëllim ndërhyrjen dhe riokupimin e Kosovës.
Isufi ka theksuar se ishte detyrë e institucioneve dhe Policisë që të ndalej treni.
“Por këtë gjendje nuk është dashur me pru deri këtu. E falënderojmë Policinë e Kosovës, e cila përbëhet nga efektiva jashtëzakonisht të përgatitura mirë dhe nuk lejuan serbët që të hyjnë në Kosovë me atë tren”, ka thënë Ahmet Isufi në Podujevë, gjatë ceremonisë së aderimit të 113 anëtarëve të rinj në këtë parti.
“Detyrë e institucioneve ashtu siç ishte edhe detyrë e Policisë për ta ndalur trenin është edhe ta rrëzojnë murin në Mitrovicë, ngase ndërtimi i tij nuk është dashur të lejohej fare. Një javë ditë është punuar aty, e qeveritarët nuk e paskan ditur se çfarë po ndodhte aty, në territorin e vet. Përfundimisht Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet nga dialogu. Të mos shkojë në dialog pa u plotësuar disa nga kushtet që i obligohet Serbia Kosovës”.
Isufi ka folur edhe për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ishte ndalur më 4 janar të këtij viti nga autoritetet e sigurisë franceze, mbi bazën e një fletarrestimi të lëshuar nga Serbi. (Koha Ditore)