Italia ka vendosur masa të reja për të paktën edhe një muaj në vend, të dielën, në përpjekje për të luftuar rritjen e numrit të rasteve me koronavirus, derisa po insistohet të vihen maskat jashtë shtëpisë, të mbyllen palestrat dhe kinematë si dhe ndalimi i kafeve dhe restoranteve.
Dekreti që kryeministri Giuseppe Conte ka nënshkruar të dielën përjashton fëmijët nën moshën 6-vjeç nga mbajtja e maskës si dhe bëri që pistat e skijimit të jenë të lejueshme vetëm për profesionistët dhe jo të tjerët. Dekreti hyn në fuqi të hënën deri më 24 nëntor, raporton AP.
Një ditë më parë, Italia kaloi gjysmë milioni të numrit të konfirmuar me COVID-19, që nga shkurti, atëherë kur ishte shteti i parë në Evropë që u fut në izolim.
Pronarët e bareve dhe restoranteve kanë lobuar kundër masave të reja, sipas të cilave ata urdhërohen t’i mbyllin në orën 18:00. Shumica e restoranteve zakonisht nuk fillojnë shërbimin e ushqimit para orës 20:00, kështu që kufizimet e reja u sjellin vështirësi serioze.
Të premten, demonstruesit në Napoli që kundërshtuan kufizimin e mbylljes nga ora 23:00 deri në 05:00, u përballën me policinë. Të shtunën mbrëma, një protestë e tillë u zhvillua edhe në Romë.
Dekreti i fundit mban të hapura shkollat fillore dhe të mesme, por thotë se 75 për qind e studentëve të shkollave të mesme duhet të zhvillojnë mësim në distancë.
Maskat veçse kërkoheshin në transporte publike dhe vende të mbyllura, si në supermarkete dhe dyqane të tjera.