Italia nis hetimet ndaj mjekëve për mohim të Covidit e kundërshtim të vaksinës

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Së paku 13 mjekë janë duke u hetuar në Itali për shkak të dyshimeve se e kanë mohuar ekzistencën e koronavirusit dhe e kanë kundërshtuar vaksinën.

Dhjetë mjekë tashmë janë ndëshkuar, ndërsa tre të tjerë pritet të hetohen më tutje. Sipas njoftimit të Urdhrit të Mjekëve, disa profesionistë që janë duke u hetuar kanë pretenduar se Covidi nuk ekziston dhe se është pak më shumë se një grip sezonal. Të tjerët kanë thënë se vaksinat në përgjithësi janë të rrezikshme.

Përderisa Italia po përballet me një fushatë të madhe kundër vaksinimit për koronavirus, teoritë e këtyre mjekëve dhe lajmet e rreme, të cilat po shfaqen në rrjete sociale e televizione, i kanë çorientuar dhe keqinformuar pacientët, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, kryetari i Urdhrit të Mjekëve, Antoni Magi, tha: “Nuk është gjueti shtrigash, por kam obligim etik që t’i sanksionoj ata që deklarojnë të pavërteta. Secili që i jep informata jokorrekte popullit duhet të ndëshkohet”.

Ndryshe, Italia të dielën e filloi zyrtarisht fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit. Vaksinat e para i morën një shkencëtar, një infermiere dhe një punëtor i shëndetit social në një spital të sëmundjeve ngjitëse në Romë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Strategjia e qeverisë italiane është që fillimisht të vaksinohen punëtorët shëndetësorë. Sidoqoftë, sipas raportimeve në medie, së paku 20 për qind e profesionistëve shëndetësorë nuk kanë pranuar të vaksinohen.

Të ngjashme