Italia, vendi i parë i BE-së që prodhon vaksinën ruse “Sputnik V”

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Italia që nga korriku do të prodhojë vaksinën ruse “Sputnik V” kundër COVID-19.

Kështu Italia do të bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që do të prodhojë këtë vaksinë e cila ende është nën shqyrtim rreth përdorimit nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

“Vaksina do të prodhohet nga korriku 2021 në fabrikat e ndërmarrjes farmaceutike italo-zvicerane Adienne në Lombardi në Caponago pranë Monza,” i tha agjensisë së lajmeve AFP, Stefano Maggi, këshilltar për shtyp në Dhomën e Tregtisë Italo-Ruse.

“Dhjetë milionë doza do të prodhohen mes 1 korrikut dhe 1 janarit 2022,” tha Maggi, duke theksuar se kjo është “marrëveshja e parë në nivelin evropian për prodhimin e vaksinës Sputnik në territorin e BE”.

Sputnik V nuk ka marrë ende miratim nga rregullatori i BE-së, i cili filloi shqyrtimin javën e kaluar.

Autoritetet ruse thonë se janë të gatshëme të sigurojnë vaksina për 50 milionë evropianë duke filluar nga qershori.

Disa vende të BE, duke përfshirë Hungarinë dhe Sllovakinë, kanë filluar administrimin e vaksinës ruse pa pritur miratimin e EMA-së.

Sputnik tani është aprovuar në 46 vende, pavarësisht se hasi fillimisht me skepticizëm në Perëndim.

Të ngjashme