Në Itali, vendi i parë evropian që vuri masat e ashpra të karantinimit në luftën kundër coronavirusit, pas dy muajve izolimi total ka filluar gradualisht të zbut masat kufizuese që do t’i mundësojë rikthimin në punë miliona italianëve.
Fillimi i ndryshimeve të masave të reja Italia i ka bazuar në të dhënat që numri i të prekurve me COVID-19 ka rënë, dhe se dje është shënuar numri më i vogël i viktimave në muajin e fundit – 174.
Dekreti i ri i qeverisë italiane do të jetë në fuqi për dy javët e ardhshme, që do të konsiderohet si “periudhë testuese” për marrjen e vendimeve në të ardhmen në trajtimin e krizës së coronavirusit, e nëse trendi pozitiv vazhdon sipas të dhënave të epidemiologëve, pasojnë masat tjera lehtësuese.
“Do të jetë një udhëtim i ri që do ta përshkojmë së bashku, me besim dhe përgjegjësi”, ka deklaruar kryeministri italian Giuseppe Conte duke iu referuar ndryshimit të masave të reja. Sipas tij, nga Italia tani do të fillojë “bashkëjetesën me virusin”.
E këtë ditë italianët e kanë pritur me padurim pas dy muajt e fundit sipas masave të ashpra të karantinimit, janë detyruar të qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre, përveç nëse kanë pasur nevojë të blejnë artikuj të ndryshëm ushqimor apo të marrin barna në barnatore e pse jo edhe për ndonjë kontroll mjekësor.
Të gjithë këto është dashur të realizohen me leje të veçantë që arsyetojnë daljen e tyre nga shtëpitë. Megjithatë, të gjitha aktivitetet që disa muaj më parë konsideroheshin si normale, vazhdojnë të jenë në masë të caktuara të kufizuara.
E punën e fillojnë fabrikat, sektori i ndërtimtarisë dhe industrisë, kurse gradualisht afro 4.4 milionë italianë pritet të rikthehen nëpër vendet e tyre të punës, derisa banorët e tjerë të Italisë tani për tani kanë liri të lëvizjes brenda rajoneve ku jetojnë.
Në këtë fazë kalimtare, baret dhe restorantet do të punojnë vetëm për ata klientë që paraprakisht porosisin ushqimin dhe e marrin me vete – që do të thotë se nuk do të mund ta shijojnë brenda lokaleve.
Në kufijtë e rajoneve ku jetojnë dhe veprojnë, banorët e Italisë mund të vizitojnë familjarët por pa u mbledhur në numër të madh në një ambient të caktuar.
Sipas masave të reja lejohen aktivitetet individuale sportive, gjithmonë duke respektuar distancimin fizik social prej dy metrave mes personave tjerë.
Masat e reja që janë të aplikueshme tani në Itali, obligojnë qytetarët të bartin maska mbrojtëse në ambiente të mbyllura, por që janë të hapura për qytetarët siç është transporti publik dhe marketet.
Megjithatë këto masa nuk janë të njëjta në tërë Italinë, pasi që në Lombardi që konsiderohet edhe si rajoni më i prekur në këtë vend – qytetarët obligohen të bartin maska mbrojtëse edhe në ambiente të hapura, ku madje kërkohet edhe përdorimi i dorëzave.
Ndryshe Italia është një nga vendet që është goditur më së shumti nga pandemia e coronavirusit, ku nga fillimi i krizës janë infektuar të paktën 210 mijë persona, prej të cilëve janë shëruar 81 mijë e mbi 28 mijë tjerë kanë humbur jetën. /Telegrafi/