Unioni Ndërkombëtar për Telekomin (ITU) “shumë shpejt”, sipas BE-së, do të botojë në buletinin zyrtar vendimin për t’i dhënë Kosovës në përdorim kodin ndërkombëtar të telefonisë +383.
Pasi buletinet e tilla publikohen zakonisht me datat 1 dhe 15 të muajt, sipas të gjitha gjasave, vendimi për rastin e Kosovës do të bëhet publik këtë të mërkurë.
Por mbeten ende të paqarta disa karakteristika juridike të dhënies së këtij kodi për Kosovën për të cilin kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, insiston se do të jetë “kod ndërkombëtar për shtetin e Kosovës sikur për secilin shtet tjetër të botës”, e pala serbe thotë se “do të jetë kod për përdorim në një hapësirë gjeografike që është pjesë e Serbisë, sikurse Tajvani që është pjesë e Kinës”.
Ndërkohë ka njoftime të pakonfirmuara se Serbia në letrën e saj që tashmë i ka dërguar ITU-s, me të cilën ka dhënë pajtimin që për Kosovën të ndahet kodi ndërkombëtar, ka shkruar në këtë letër se ky do të jetë kod gjeografik. (KohaDitore)