Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka qëndruar në Stamboll, ku është adresuar në Forumin për lidership global 2017, në organizim të Universitetit Bahçeshehir, ku theksoi se deri tani tetë herë ka arritur rekomandimi i Komisionit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë, por data ende nuk është caktuar. “BE po bie në provimin për çështjen e Maqedonisë. Derisa BE, nga njëra anë promovon të drejtat e njeriut, mbrojtjen e identitetit personal dhe të drejta tjera, ato për Maqedoninë nuk vlejnë”.
“Me periudhën Osmane filloi edhe paqja Osmane”
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në gala programin e Forumit Global të Liderëve 2017 organizuar nga ana e Universitetit Bahçeshehir, theksoi se “gjatë periudhës Osmane fe të ndryshme, gjuhë dhe raca të ndryshme me shekuj kanë jetuar së bashku, porse evropianët këtë ende nuk e kanë kuptuar”.
Gjatë adresimit të tij, presidenti Ivanov theksoi se sot ekziston gjurmë e shkruar për tre mijë vitet e fundit të historisë së njerëzimit dhe se 2.700 vite të tyre kanë kaluar në luftëra.
“Bota në aspektin global në paqe ka jetuar 300 vite. Këtu ballafaqohemi me një paradoks. Mund të shohim se vitet më të gjata të paqes vërehen në Ballkan, Kaukaz dhe në Lindjen e Mesme. Sot nëse dikujt nga përfaqësuesit e BE-së ua përmendni Ballkanin, Kaukazin ose Lindjen e Mesme, do të rrëqethen. Veçmas nuk kuptojnë se paqja ka ekzistuar shumë vite në këto territore. Ku Kaukazi, Lindja e Mesme dhe Ballkani posedonin hapësirë të hapur, këtu edukoheshin persona me mendje të hapur, pa paragjykime. Në mjedise të tilla njerëzit duhet të besojnë në një fuqi të pavarur dhe të drejtë. Në histori mund të regjistrohet ‘Pax Romana’, do të thotë Paqja Romake. Më pas së bashku me Periudhën Osmane filloi edhe Paqja Osmane”, theksoi presidenti Ivanov.
Ivanov theksoi se disa rrethana e shohin botën me “syze” të shekullit të 19-të dhe 20-të dhe tha se problemet nuk mund të zgjidhen në këtë mënyrë.
Presidenti i Maqedonisë në fjalimin e tij theksoi se dëshirat dhe pritjet e të gjithëve janë në dobi të paqes evropiane, dhe tha : “Protestantët dhe katolikët në Evropën Perëndimore pas luftimeve shumëvjeçare lidhën paqe dhe kaluan në sekularizëm, ndërsa fenë e mbyllën në një kornizë të veçantë. Me këtë ngjau një pikëpamje e quajtur tolerancë, që paraqet vënien e fesë në kornizë të veçantë. Tolerancë në kuptimin: ndonëse nuk ju dua, unë do t’ju duroj. Në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe në Ballkan nuk ka zakon të tillë. Tek ne ekziston filozofia e respektimit të ndërsjellë. Për këtë shkak pjesëtarët e feve dhe gjuhëve të ndryshme me shekuj arritën të jetojnë bashkë. Respekti i ndërsjellë është shumë më i shenjtë dhe sublime se toleranca e Perëndimit. Andaj me shekuj krishterët, muslimanët dhe hebrenjtë kanë jetuar me respekt të ndërsjellë. Në Periudhën Osmane kjo është quajtur sistem popullor”, theksoi presidenti Ivanov.
“Problemi i përbashkët i Jugosllavisë dhe BE-së është mosekzistimi i metodës për menaxhim me kriza”
Ivanov, theksoi se BE-ja është një projekt i paqes, por, siç tha ai, BE-ja nuk mund të gjejë zgjidhje në periudha të krizës. “Gjithçka është perfekte derisa zgjat paqja. Problem i përbashkët i Jugosllavisë dhe BE-së është mosekzistimi i metodës për menaxhim me kriza. Të gjitha institucionet evropiane u mobilizuan që të shpëtojnë Greqinë kur ndodhi kriza. Kur ndodhi kriza në Ukrainë, thuajse secili e harroi Greqinë, dhe u fokusuan në Ukrainë. Kur ndodhi kriza e refugjatëve, askush nuk fliste për Ukrainën. E me paraqitjen e terrorizmit, çdokush i harroi refugjatët. E njëjta gjë edhe pas procesit të referendumit të Brexitit i harruan të gjitha gjërat tjera”, tha Ivanov, duke theksuar se Jugosllavia ishte projekt i paqes sikur që është BE-ja
“BE bie në provim për çështjen e Maqedonisë”
Presidenti Ivanov thekson se Maqedonia mori vendim për anëtarësim në BE, por për shkak të qëndrimeve të BE-së ende nuk arriti të jetë e pranuar në Union. Ai po ashtu theksoi se Maqedonia po bën gjithçka që të bëhet vend anëtar i NATO-s.
“Bëmë gjithçka që kërkonin nga ne. Në Irak 12 herë dërguam ushtarë tanë në misionet e NATO-s, në Afganistan madje 24 herë. Megjithatë nuk jemi pranuar, sepse emrin e keni Maqedoni. Na thonë: ndërroni emrin dhe ejani”, tha Ivanov dhe theksoi: “Deri tani tetë herë arriti rekomandimi i Komisionit Evropian për fillimin e negociatave, por data ende jo. Meqë, emir i vendit tonë është Maqedonia, ju jeni maqedonas dhe gjuhën me të cilën flisni është maqedonisht. BE po bie në provim për çështjen e Maqedonisë. Derisa BE-ja, nga njëra anë promovon të drejtat e njeriut, mbrojtjen e identitetit personal dhe të drejtat tjera, ato për Maqedoninë nuk vlejnë”.