Izraeli nuk ka regjistruar asnjë të vdekur nga Covid-19 për herë të parë pas dhjetë muajve, në kohën kur vendi po e vazhdon programin e vaksinimit masiv të popullsisë, që llogaritet si një ndër më të suksesshmit në botë.
Ministria e Shëndetësisë tregoi se shifra e të vdekurve nga pandemia e koronavirusit mbeti e pandryshuar – 6.346, shkruan BBC.
Hera e fundit kur Izraeli nuk shënoi asnjë viktimë të Covid-19 për 24 orë ishte në qershor të vitit të kaluar, pasi masat e rrepta të izolimit e kishin penguar zhvillimin e valës së parë të infeksioneve.
Sidoqoftë, gjenja është përmirësuar pas arritjes së kulmit të rasteve në janar të këtij viti. Qeveria izraelite ka filluar që t’i lehtësojnë masat kufizuese që nga shkurti, pas fillimit të një fushate më të gjerë të vaksinimit.
Izraeli e ka shkallën më të lartë të vaksinimit të popullsisë për numër banorëh në botë. Të enjten, ky shtet e arriti shifrën e pesë milionë personave të vaksinuar.
Ministria e Shëndetësisë tha se mbi 53 për qind e popullsisë prej rreth nëntë milionë banorësh tashmë i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër Covid-19.
“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor dhe qytetarët izraelitë. Së bashku ne po e çrrënjosim koronavirusin”, shkroi të premten në rrjetet sociale ministri izraelit i Shëndetësisë, Yuli Edelstein.