Izraeli do t’i mbajë ushtrimet e para kombëtare në botë kundër Covid-it për ta testuar gatishmërinë e vendit në rast të përhapjes së një varianti të ri dhe vdekjeprurës të koronavirusit.
Ushtrimet, të planifikuara për të enjten, do ta kenë formën e një ushtrimi lufte dhe do të udhëhiqen nga Kryeministri Naftali Bennett, shkruan The Guardian.
Në ushtrime do të testohen aftësitë e departamenteve qeveritare e agjencive kombëtare për t’u përgjigjur ndaj shfaqjes së një varianti të emërtuar “Omega” të Covid-19. Zyra për medie e qeverisë izraelite përmes një deklarate ka thënë se një variant i tillë ende nuk është zbuluar në Izrael.
Izraeli e ka mposhtur valën e katërt të pandemisë dhe është në rrugë drejt daljes nga varianti Delta, tha kryeministri izraelit. Megjithatë, ai shtoi: “Ne po vazhdojmë që të mbajmë ushtrime dhe ta sfidojmë veten. Duhet të vazhdojmë që ta vëzhgojmë situatën nga afër dhe të përgatitemi për çfarëdo skenari.”
Ushtrimi do të drejtohen nga ministri izraelit për Mbrojtje Civile në Qendrën Kombëtare të Menaxhimit në Jerusalem, që merret me trajtimin e krizave kombëtare.
Ndryshe, Izraeli është në mesin e shteteve me përqindjen më të lartë të vaksinimit me dozën përforcuese. Qeveria pritet të vendosë këtë javë nëse do të miratohet vaksinimi i fëmijëve nga mosha 5 deri 11-vjeçare.