Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka prezantuar planet për një izolim të plotë dyjavor, si përpjekje të re për të parandaluar shpërndarjen e mëtejme të koronavirusit.
Në një video-deklaratë të mërkurën, Netanyahu ka thënë se “izolimi i plotë” do të nisë të premten e do të zgjasë deri më 10 tetor.
“Qëllimi është të ulet shifra e shpërndarjes dhe që të shpëtojmë sa më shumë jetë në Izrael”, ka thënë ai, duke mos elaboruar masat e reja.
Netanyahu ka prezantuar planin e tij pas dy ditë diskutimesh brenda kabinetit të Qeverisë për koronavirusin. Masat ende kërkojnë miratimin e kabinetit të plotë, raportojnë mediat izraelite.
Izraeli ishte lavdëruar shumë pasi në fillim të vitit kishte arritur të ndalte shpejt shpërndarjen e koronavirusit përmes izolimit të plotë, por me rihapjen e ekonomisë virusi u rikthye po ashtu.
Të mërkurën u regjistruan 6948 raste të reja, rekord për Izraelin. Deri tash në këtë vend kanë vdekur 1317 persona si pasojë e COVID-19. Në përgjithësi, janë regjistruar më shumë se 200 mijë raste pozitive.