Ekspertët e të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara thonë se Izraeli mund të ketë kryer krime lufte apo krime kundër njerëzimit gjatë veprimeve për ndaljen e protestave të palestinezëve më 2018.
Një komision hetimor i ngritur nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut tha se ka “bazë të arsyeshme për të besuar se snajperistët izraelitë gjuajtën në gazetarë, punonjës shëndetësorë, fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara”.
Hetuesit thanë se 189 palestinezë u vranë gjatë protestave në kufirin e Gazës midis marsit dhe dhjetorit 2018.
Izraeli menjëherë hodhi poshtë raportin. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se gjetjet e Këshillit “vendosin rekorde të reja të hipokrizisë dhe gënjeshtrave nga urrejtja obsesive ndaj Izraelit”.
“Ushtarët do të vazhdojnë të mbrojnë fuqishëm qytetarët izraelitë kundër sulmeve nga Hamasi dhe organizatat terroriste të financuara nga Irani”, tha Netanyahu.
Palestinezët kanë marrë pjesë në protesta përgjatë kufirit midis Izraelit dhe Rripit të Gazës që nga marsi i vitit të kaluar.
Demonstrata fillimisht u nxit nga thirrjet për të ashtuquajturën të drejtën e kthimit për refugjatët palestinezë në pronat e humbura.
Ata më vonë u kthyen në protesta javore që synonin lehtësimin e një bllokade të imponuar në Gaza.
Fushata e protestave është udhëhequr nga grupi militant islamik Hamas, i cili nga Izraeli dhe vendet tjera është emëruar si grup terrorist.