Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës njoftoi se një palestinez është vrarë të shtunën nga sulmet ajrore të Izraelit, të cilat u nisën si kundërpërgjigje ndaj sulmit me raketa.
Dhjetëra sulme nga ajri e goditën këtë enklavë palestineze në orët e hershme të së shtunës. Një burim i sigurisë në Gaza tha se ato i kishin cak bazat e udhëheqësve islamikë dhe grupeve të tyre aleate.
Sipas ministrisë, personi i vrarë është identifikuar si Ahmed al-Shehri, 27 vjeç. Në njoftim nuk tregohet nëse ky person i përkiste ndonjë grupi të armatosur.
Një burim i Hamasit tha se ky grup është kundërpërgjigjur me zjarr ndaj aeroplanit izraelit që i bëri sulmet ajrore, ndërsa ushtria izraelite konfirmoi se ka pasur sulme të freskëta nga Rripi i Gazës.
Ushtria izraelite gjithashtu tha se tetë raketa janë asgjësuar përmes sistemit të mbrojtjes ajrore, ndërsa një raketë e ka goditur një shtëpi, ku nuk kishte pasoja në njerëz.
Një varg sulmesh me raketa në muajin gusht e kishin krijuar frikën për dalje të situatës nga kontrolli.
Izraeli dhe Hamasi i kanë zhvilluar tri luftëra në enklavën palestineze nga viti 2008, shkruan “The Guardian”.