Forcat izraelite kanë vrarë pesë sulmues të armatosur palestinezë gjatë një bastisjeje në një kamp refugjatësh në Bregun e pushtuar Perëndimor më 6 shkurt.
Bastisja e fundit pritet që edhe më tej të përshkallëzojë tensionet në këtë rajon.
Zyra e presidentit të autoritetit palestinez tha se kjo dhunë është krim, duke kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që t’i bëjnë presion Izraelit që të mos vazhdojë me inkursione.
Ushtria izraelite tha se bastisja u krye me qëllim që të arrestohej një celulë militantësh që kishte kryer një sulm në një restorant në vendbanimin hebre në Bregun Perëndimor.
Dhuna e fundit vjen në një prej periudhave më vdekjeprurëse në vitet e fundit në konfliktin izraelito-palestinez dhe në javët e para të Qeverisë së re izraelite, që ka premtuar se do të ketë një qasje më të ashpër ndaj palestinezëve.
Ushtria izraelite tha se po operonte në kampin e refugjatëve Akabat Xhabër, për të arrestuar të dyshuarit e sulmit të muajit të kaluar në një restorant në Bregun Perëndimor. Ushtria tha se disa prej sulmuesve që u vranë ishin të përfshirë në ngjarjen e muajit të kaluar.