Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje mbi migracionin pas gati 10 orësh bisedimesh në samitin e Brukselit.
Italia pika hyrëse e mijëra emigrantëve, kryesisht nga Afrika kishte kërcënuar të vërë veton ndaj përfundimeve të të gjithë agjendës së grupit nëse nuk merrte ndihmë për këtë çështje.
Bisedimet vazhduan në orët e hershme të së premtes para se të arrihej një kompromis.
Udhëheqësit thanë se qendrat e reja të emigrantëve mund të krijoheshin në vendet e BE-së në baza “vullnetare”.
Këto qendra do t’i shqyrtonin rastet me emigrantët për të përcaktuar se cilët janë refugjatë të vërtetë dhe të cilët janë “emigrantë të parregullt, të cilët do të kthehen”, thuhet në tekstin e marrëveshjes.
Megjithatë, ishte e paqartë se cilat vende do të dilnin vullnetar për krijimin e qendrave.
Komunikata e përbashkët gjithashtu flet për kufizimin e lëvizjes së azilkërkuesve midis shteteve të BE.
“Pas këtij samiti evropian, Evropa është më përgjegjëse dhe ofron më shumë solidaritet”, tha Kryeministri italian Giuseppe Conte. “Sot Italia nuk është më vetëm”.
Kancelarja gjermane Angela Merkel shkoi në samitin që kërkonte një marrëveshje të gjerë në BE për trajtimin e azilkërkuesve për të shmangur një krizë politike në vend që mund të rrëzonte qeverinë e saj.
Blloku është thellësisht i ndarë për çështjen e migracionit, me disa shtete të Evropës Qendrore që refuzojnë një skemë të BE për të zhvendosur 160,000 refugjatë nga kampet e mbipopulluara në Greqi dhe Itali.
Pas bisedimeve maratonike , Presidenti francez Emmanuel Macron tha se “Bashkëpunimi Evropian e ka mundësuar këtë”.
28 krerët e BE-së gjithashtu ranë dakord të forcojnë kontrollet e kufirit të jashtëm dhe të rrisin financimin për Turqinë dhe vendet në Afrikën e Veriut.