Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, çështja e murit në veri të Mitrovicës, ajo e Asociacionit dhe arrestimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, po ndikojnë negativisht në procesin e integrimit të Kosovës në BE.
Kështu së paku kanë vlerësuar ekspertët e proceseve integruese në Kosovë, të cilët kanë thënë se problemet e brendshme të vendit gjithsesi reflektojnë edhe në rrugën evropiane të Kosovës. Ata më tej kanë thënë se institucionet e Kosovës nuk janë treguar aspak serioze sa i përket kësaj çështjeje. Nga ana tjetër, përderisa përfaqësues të koalicionit qeverisës thonë se problemet e brendshme nuk e cenojnë procesin e integrimit, përfaqësues të opozitës shprehen të bindur se Kosova nuk do të ketë integrim përderisa në pushtet mbetet qeveria aktuale.
Mazreku: Procesi i anëtarësimit në BE, multisektorial
Profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, ka vlerësuar se tensionet politike në Kosovë ndikojnë negativisht në procesin integrues.
“Edhe në kontekst të zhvillimit ekonomik, edhe në kontekst të stabilizimit sektorial të Kosovës tensionet politike ndikojnë negativisht në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai për “Zërin”.