BE-ja ndëshkon politikanët, jo popullin

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 08:40 | Nga

Komisioni Evropian edhe këtë vit ka përsëritur vërejtje të shumta në Raportin e Progresit për Kosovën. Zyrtarët e BE-së thonë se ky raport është ndëshkim për politikanët që nuk kanë kryer obligimet. Ndërsa presidenti Hashim Thaçi fajëson BE-në për mosliberalizimin e vizave

Vërejtje të shumta për institucionet e Kosovës janë përsëritur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për këtë vit.

Politizimi i administratës publike, politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, pafuqia e sistemit gjyqësor për largimin e ndikimeve politike, mungesa e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesa e zhvillimit ekonomik, mungesa e përparimit të cilësisë së arsimit janë disa nga vërejtjet kryesore që jepen për Kosovën.

Gjithashtu është theksuar fakti që Kosova për të marrë liberalizimin e vizave duhet të përmbushë dy kriteret e mbetura në këtë proces e që janë luftimi i krimit e korrupsionit dhe Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi. Por, zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se ky raport nuk është ndëshkim për qytetarët e Kosovës, por është ndëshkim për politikanët të cilët nuk kanë punuar për përmbushjen e kritereve.

“Polarizimi mes Qeverisë dhe opozitës ka vazhduar. Funksionimi normal parlamentar është penguar përgjatë një pjese të periudhës kohore të përfshirë në këtë raport, duke përfshirë përdorimin e mjeteve të dhunës nga ana e anëtarëve të opozitës. Të gjitha partitë politike duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të ri-angazhohen për një dialog konstruktiv me Kuvendin si forumin kryesor për debat politik. Kthimi i kohëve të fundit i anëtarëve të opozitës në aktivitetet parlamentare është një hap i mirëpritur”, thuhet ndër të tjera në këtë raport. (Gazeta Zeri)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme