BE-ja nuk tërhiqet nga kriteri i demarkacionit

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 08:24 | Nga

Bashkimi Evropian nuk do të bëjë kthim mbrapa sa u përket kritereve që Kosova ka marrë përsipër t’i përmbushë në synimin drejt lëvizjes pa viza në zonën Schengen. Kryeministri Isa Mustafa tha në fundjavë se gjatë vizitës në vendet e BE-së ka kërkuar që të modifikohet kriteri i demarkacionit, në mënyrë që fillimisht të mundësohet lëvizja pa viza, pastaj të zgjidhet çështja e demarkacionit.
Kur janë pyetur nëse janë të gatshëm ta modifikojnë kriterin e demarkacionit, Zyra e BE-së në Prishtinë ka përmendur obligimet që dalin nga udhërrëfyesi për viza, të cilat janë mishëruar në Raportin e Komisionit Evropian të vitit 2016.

“Bazuar në progresin e përgjithshëm të arritur nga Kosova në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian ka paraqitur propozimin për liberalizimin e vizave më 4 maj 2016 në kuptimin që nga dita e miratimit të këtij propozimi nga ana e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, Kosova do të ketë ratifikuar Marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe të ketë forcuar regjistrin e vet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, i është përgjigjur pyetjes zëdhënësja e Zyrës së BE-së, Dinka Zhival, nëse mund të ketë modifikim të kriterit të demarkacionit, ashtu siç kërkoi kryeministri Isa Mustafa. (Koha Ditore)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme