Sipas përmbajtjes së vendimit të Gjykatës kroate të Dubrovnikut për ekstradimin e Ismail (Ballist) Morinajt, ndaj tij nuk ekziston një urdhër arrestimi ndërkombëtar i lëshuar nga Serbia nëpërmjet Interpolit.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë, pasi ka mësuar arrestimin e tij në Kroaci, në qershor, i ka kërkuar homologes kroate ekstradimin e tij. Por Morina u arrestua në Kroaci për një arsye që nuk ka lidhje me ngjarjen në Beograd, për kalim të paligjshëm kufiri, pa dokumente, pasi ato ia ka kanë konfiskuar autoritetet italiane për një procedim penal që ka në Itali.
Morinaj kishte kaluar lirisht në Kroaci sa kohë i kishte dokumentet personale. Pyetja është se përse Serbia e kërkoi pikërisht tani ekstradimin e Morinajt? Përse nuk ia kërkoi këtë gjë Italisë ku ai jetonte? A mos kemi të bëjmë me një lojë të re të ndyrë si ajo e flamurit të zi? Koha do ta tregojë shumë shpejt.
Gjithsesi duhet thënë se Kroacia gjendet në pozitë shumë të vështirë në këtë çështje pasi Morinaj ka hyrë në Serbi nëpërmjet Kroacisë, kur shkoi në Beograd në tetor 2014, me ç’ rast mëton se ngriti dronin me flamurin e zi.
Nëse Kroacia nuk e ekstradon Morinajn, Serbia do ta akuzojë Kroacinë se ka dorën në operacionin e dronit. Pra vetë kërkesa serbe për ekstradim është një provokacija ndaj Kroacisë! Dhe Kroacia, një vend miqësor ndaj Shqipërisë, nuk na ka detyrim që të na nxjerrë nga këto kurthe ku na futin shërbimet e fshehta serbe, me argatët e tyre si Ismail Morinaj.
Le të shkojë “heroi” në Beograd, dhe atje në gjyq le ta thotë të vërtetën para gjithë botës. Pse i trembet ekstradimit ai? Keqtrajtim serb? Marrëzi! Gjyqi ndaj tij do të ketë mbulim mediatik global dhe serbët nuk kanë interes që ta keqtrajtojnë