BE-ja do të vëzhgojë edhe zgjedhjet lokale

Prishtinë | 06 Sht 2017 | 15:16 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi me Zyrën e BE-së në Kosovë, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, raporton Ekonomia Online.

Memorandumi është nënshkruar nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova.

Daka u shpreh se vëzhgimi i zgjedhjeve është njëra nga pjesët thelbësore të një procesi zgjedhor dhe se nënshkrimi i këtij Memorandumi është shprehje e përkushtimit të këtij institucioni për avancimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

“Si çdo herë, Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian është i mirë se ardhur në Kosovë. Ky mision ka qenë prezent edhe në Zgjedhjet e 11 qershorit dhe KQZ-ja ka adresuar me seriozitet rekomandimet preleminare të këtij misioni, për çfarë ka hartuar një Plan Veprimi për zbatimin e tyre”, tha Daka.

Ajo u bëri thirrje mediave, subjekteve politike të certifikuara, organizatave vendore e ndërkombëtare të specializuara në fushën e zgjedhjeve si dhe përfaqësuesve të vendëve të huaja që të dorëzojnë në KQZ kërkesat e tyre për akredimin e tyre si vëzhgues të zgjedhjeve.

Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se është e kënaqur që BE do të dërgojë një mision vëzhgues për këto zgjedhje lokale, gjë që e konfirmon përkushtimin e BE-së për Kosovën dhe zhvillimin e saj demokratik.

“Më lejoni t’i rikujtoj fjalët e Përfaqësueses së Lartë Federica Mogherini, e cila na përkujtoi se çdo partner i joni në rajon, përfshirë Kosovën, ka perspektivë drejt Bashkimit Evropian. Njerëzit e Kosovës i duan dhe i meritojnë mundësitë, mbrojtjet dhe të drejtat e njëjta sikur të gjithë qytetarët e tjerë të kontinentit tonë”.

“Prandaj, kur ne i ftojmë politikëbërësit e Kosovës që të fokusohen në reforma, në çështjet me rëndësi për njerëzit dhe jetën e tyre të përditshme, duhet ta dini se e bëjmë këtë sepse ne dëshirojmë që Kosova të ketë sukses.  Mbajtja e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare është një kontribut i rëndësishëm drejt arritjes së këtij qëllimi”.

BE ka monitoruar edhe zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit me 100 vëzhgues në tërë Kosovën. Sipas një raporti zgjedhjet e parakohshme ishin vlerësuar të qeta me disa parregullsi të vogla.

Të ngjashme