Ka filluar punimet konferenca shkencore me temë “Migrimet dhe diaspora në Ballkanin Perëndimor”. Në këtë konferencë iu bë thirrje Bashkimit Evropian (BE) që t’i hapë dyert për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka thënë se kjo konferencë ka për qëllim shënimin e ditës së Evropës. Sipas tij çështjet e migrimit janë shqetësim edhe për Bashkimin Evropian edhe për tërë botën, raporton Ekonomia Online.
“Ne mendojmë se bashkimi i mendjes i potencialit të njerëzve do të krijojë benefite të mira që njerëzit mos ta braktisin vendin. Padyshim vendi jonë nuk e ka tretmanin e duhur nga BE dhe mbetemi ende vendi i cili nuk e ka të liberalizuar lëvizjen, mirëpo mbetemi me shpresë që qasja e pesë vendeve që se kanë njohur vendin ta njohin dhe Kosovës ti hapet rruga drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka thënë se nuk ka gjë më të mirë për shënimin e Ditës së Evropës se sa me debate shkencore. Sipas tij, shqiptarët kudo që janë meritojnë të jenë evropianë dhe të jenë të barabartë.
“Sot kjo temë është edhe një thirrje që i bëjmë BE-së, që në vend të nocionit të migrimeve, të kemi nocione të reja që qytetarët të lëvizin lirshëm. Ne kemi një popull pro-evropian dhe kemi një rini të orientuar kah perëndimi, mirëpo një rini që po getoizohet. I bëjë ftesë BE-së të hap derën për të rinjtë që ata të plasohen me dije në tregun evropian. Duhet BE-ja të na trajtojë të barabartë dhe ta pranojë Kosovën. Nuk mund ta pranojmë targën e pesë vendeve që nuk na kanë njohur”, ka thënë ministri Bajrami.