Deputeti i Vetëvendosjes, Jahja Koka, i është përgjigjur me poezi e citime në gjuhë të huaja deputetit të PDK-së, Ardian Kastrati, i cili në seancën e kaluar ishte tallur me profesorin e fizikës për një “ide” të tij që gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, ai do të niste në hapësirë një anije kozmike. Kastrati kishte veshur një bluzë me një imazh rakete dhe kishte shprehur habinë si kjo “arritje” nuk pasqyrohej në raportin për 100-ditëshin e Qeverisë.
Kokaj ka fyer deputetin Kastrati, por edhe mediet që i kanë dhënë hapësirë atij.
“Një zotëri i veshur si dordolec me disa lara primitive, tallej dhe lazdrohej me disa metafora të lakuara ditëve të fundit. Ky zotëri dhe disa njerëz në media, do të kishin kryer vetëm shkollën fillore, do të kuptonin se ç’është shpejtësia kozmike, do të kuptonin numrin 7.9 kilometër në sekondë, meqenëse rosakëve duhet tu përsëritet shumëherë që të mësojnë përgjithmonë”, ka thënë Kokaj.
Fjalimi i Kokës ka detyruar Konjufcën që t’ia tërheqë vërejtjen për fjalorin.
Kokaj, ka vazhduar ofendimet ndaj Kastratit duke lexuar poezi për të në disa gjuhë të huaja.
Seancën e kaluar, deputeti Kastrati kishte ironizuar me 100 ditët e qeverisë duke thënë se nuk është futur “Raketa e Jahja Kokaj’.
Profesori Koka e ka paralajmëruar profesorin Kastrati që nëse nuk ndalet herën tjetër “do ta lëshojë më thellë plugun në fushë shkencore”.