Jahjaga dhe Nishani shpallen qytetarë nderi të Vitisë

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 12:52 | Nga Ekonomia Online

Në 20-vjetorin e çlirimit të Komunës së Vitisë, ky qytet shpalli qytetar nderi ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ky çmim është ndarë me propozim të kryetarit të kësaj komune, Sokol Haliti dhe me vendim të kuvendit komunal.

Pasi kryesuesi i kuvendit komunal i shpalosi para të pranishmëve motivet dhe arsyet e ndarjes së këtij çmimi, Nishani dhe Jahjaga u pajisën me certifikata të këtij titulli dhe me Çelësin e Qytetit.

Për këtë titull, ish presidenti Nishani u shpreh I kënaqur duke thënë se shpreh falënderime të përzemërta për këtë nder të veçantë ndaj përfaqësuesve të një treve të jashtëzakonshme me virtyte të veçanta në tërë historinë e rrugëtimit të kombit shqiptar, përpara të cilëve përkulet me respekt.

Ai deklaroi se ndihet veçanërisht i nderuar dhe që këtë titull po e merr së bashku me ish presidenten e Kosovës: “Ma shtoni edhe më shumë këtë nder dhe privilegj pasi më bashkoni edhe mua të nderoj me ju një personalitet si Atifete Jahjaga, zëri dhe imazhi përparimtar dhe civilizues i së cilës i ka bërë nder të madh Kosovës”.

“Unë sot i përulem dhe i falem nderit tuaj, duke pranuar këtë privilegj dhe nder të veçantë”, u shpreh Nishani.

Pas kësaj, Komuna e Vitisë ka organizuar edhe një parakalim kulturor të klubeve sportive, të ansamblit të këngëve dhe valleve, performancë e Agim Agushit me top – i cili njihet për dy rekorde në Librin e Guinness-it dhe shumë grupe të tjera kulturore nga kjo komunë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme