Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shihen si pjesë e zgjidhjes për sigurinë e Bashkimit Evropian.
“Ballkani Perëndimor është konsumuesi kryesor i sigurisë së BE-së. Tani, 30 vite që kur kemi përfituar nga angazhimi i jashtëzakonshëm në rajon, ne duhet të shihemi si diçka më shumë se një rast studimi; ne duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjeve, veçanërisht në luftimin e të gjitha llojeve të ekstremizmit që po destabilizojnë rajonin dhe vende të tjera”, tha Jahjaga.
Këto komente ajo i bëri në Tryezën e Rrumbullakët për Siguri në Evropë që u mbajt në Maltë.
Tryeza e diskutimit u moderua nga Ambasadori Wolfgang Ishinger, ndërsa pjesëmarrëse ishin gra që janë të përfshira në proceset e bërjes së politikave për siguri në vende të ndryshme të BE-së.
Ish-presidentja Jahjaga tërhoqi vërejtjen për rrezikun që mund të ketë mungesa e unitetit politik të BE-së në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“Përmirësimi i raporteve ndërmjet shteteve të rajonit, veçanërisht në mes të atyre që dikur ishin në luftë me njëri-tjetrin, duhet të bëhet përkushtim dhe kusht për anëtarësim në BE. Por, fatkeqësisht ideja për, siç quhet, Evropën ‘multi-speed’ e që duket se po bëhet realitet në rajonin e Ballkanit mund të dëmtojë tmerrësisht shumë vendet më të vogla si Kosova në periudhën afatgjatë”, theksoi Jahjaga.
Tryeza u organizua nga Women in Parliaments (WIP) dhe Munich Security Council (MSC) nën patronatin e Qeverisë së Maltës në prag të Samitit për Siguri në Evropë 2017 nikoqire e të cilit do të jetë Presidenca Malteze e Këshillit të Bashkimit Evropian.