Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar mikun e shqiptarëve, kongresistin amerikan Eliot Engel, të cilit i ka kërkuar organizimin e një seance dëgjimore ndërkombëtare për krimet e kryera nga Serbia ndaj popullatës civile në Kosovë, përfshirë këtu edhe dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte.
Jahjaga ka ngritur shqetësimin që edhe pas 20 vitesh nga përfundimi i luftës ende nuk është dënuar asnjë person për krimet e kryera në Kosovë.
“Gjatë këtij takimi, kongresistit Engel ia dorëzova një letër me anë të së cilës kërkova që të shqyrtohet mundësia për organizimin e një seance dëgjimore për krimet e kryera nga aparati shtetëror i Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, duke përfshirë dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte”, ka thënë Jahjaga.
Sipas saj, edhe pas pothuajse 20 viteve nga përfundimi i luftës, nuk ekziston asnjë person që është dënuar për këto krime.
Ish-presidentja Jahjaga thotë se për të ndërtuar paqen e qëndrueshme, adresimi i shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftës në Kosovë është i domosdoshëm dhe shton se historia nuk mund të rishkruhet dhe dallimi në mes të agresorit dhe viktimës duhet të jetë i qartë.
“Për këtë arsye, është e rëndësishme që të organizohet kjo seancë dëgjimore me përmasa ndërkombëtare që të mbijetuarit e dhunës seksuale, familjarët e personave të pagjetur, familjaret e viktimave të luftës, aktivistët për paqe dhe liri, dhe njohës të rrethanave të luftës në Kosovë të mund të dëshmojnë për krimet e luftës të kryera në Kosovë nga forcat Serbe. Duke ndarë fajin individual nga ai kolektiv ne kontribuojmë në të vërtetën, qasjen në drejtësi dhe pajtimin në rajon”, deklaroi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.