Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në konferencën me temën “Përtej Mbështetjes Financiare”, të organizuar nga Fondacioni për Zhvillim të Komunitetit (CDF) në bashkëpunim me “Kosova Women for Women” dhe IPP nga Izreali, raporton Ekonomia Online.
Jahjaga tha se institucionet dhe shoqëria i kanë injoruar dhembjen dhe nevojën e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë më shumë se për ndihmë financiare. Si shoqëri dhe si shtet kemi injoruar dhembjen dhe nevojën e tyre. Në këtë mënyrë i keni heshtur dhe i kemi lënë në mëshirën e askujt”.
Jahjaga shtoi se mbështetja financiare që ka ardhur deri më tash nuk mjafton.
“Besoj dhe uroj që përmes këtij programi të përmbushet boshllëku ekzistues për mbi 20 mijë burra dhe gra të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mbështetja financiare që ka ardhur deri më tash, ne e dimë se nuk mjafton”.