Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi pas vendimit të fundit të PZAP-së për votat nga Serbia, ka shkruar se janë të mbështetura në Kushtetutë dhe në Ligjin për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Sipas Krasniqit, futja e votave në sistem nga KQZ-ja ishte antiligjore dhe cënonte vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Vendimet e fundit të PZAP-së, janë vendime të mbështetura në Kushtetutë dhe në Ligjin për zgjedhjet e lira e demokratike. Në ketë frymë, pa asnjë mëdyshje është vendimi për largimin e votave të kontrabanduara nga Serbia. Futja e atyre votave në system nga KQZ-ja, ishin kryekrejt antiligjore dhe cenonin rënd vullnetin e qytetarëve të lirë të Kosovës. Me vendimin e PZAP-së, nuk ka humbur asnjë parti politike që ishte pjesë e garës zgjedhore, por ka fituar demokracia dhe vullneti i lirë i sovranit i shprehur në zgjedhjet e lira të 6 tetor 2019”, thotë ai.
Krasniqi tutje ka shtuar se kësaj fitore duhet t’i gëzohen të gjithë, sidomos ato parti që në këto zgjedhje dolën të parat.
“Kësaj fitore demokratike e ligjore duhet t’I gëzohemi të gjithë dhe sidomos duhet t’I gqzohen partitë që në këto zgjedhje dolen të parat. Ato e kanë për obligim ligjor që t’i përmbahen ligjit dhe të bëhen guardian të ligjit e të demokracisë.
Është e frikshme, kur një parti ende pa u ulur në kolltukun qeverisës tenton ta grabisë vullnetin qytetarë me vota të huaja e të kontrabanduara. NISMA Socialdemokrate nuk kërkon askujt t’i rrembej mandate,por as nuk do të pranojë grabitjen e mandateve nga skush, përkundrazi kërkon vetëm e vetëm vullnetin e lirë të sovranit që u shpreh më 6 tetor 2019”, ka thënë Krasniqi.