Jam femër

Prishtinë | 30 Mar 2023 | 21:31 | Nga Ekonomia Online

(Nga Adelina Qarkaj)

Në ninullat e nënës sime kam qenë ëndërr
ndën vuajtjet e saja të mëdha më shihte si më të bukurën përrallë.

Ajo teksa më thurte gërshetat, fshinte lotët dhe ëndërronte fatin tim të bardhë…

Në ninullat e nënës sime kam qenë lutje
lutje që ngushëllohej në afshin e një vaji të valë
Ajo teksa me qepte fustanet qeshte e lutej për fatin tim te bardhë…

Në ninullat e nënës sime kam qenë vaj
vaj që pikturonte dëshirat e saja për mua
Ajo teksa përziente brumin, shqelmonte egërsinë e botës katrane dhe lutej per fatin tim të bardhë…

Në kalldrêmin e thyer jam ngjitur zvarrë
skuqesha zjarrit të egër si gacë e nxirë
nën patkonjtë e fjalës më hapej në zemër një varrë
prej hijes së turpit më vinte të pështirë

Një ditë gërshetat m’i këputi fati im i zi
lutjet e nënës sime i vrau një gjarpër tinëzar
pikturat e ngjyrosura me lotët e gjakosur
I përflaku i përlyu një uragan mëkatar….

Nê errësiren e trishtë, veç hëna më buzëqeshte
shkëndijë e zbehtë më lëmonte fytyrën e vrarë
fustanin e zisë muzgu çdo natë ma veshte
në heshtje mallkoja fatin e foshnjes së parë…

Mallkoja ëndrrat që veç ëndrra shuheshin
Mallkoja gëzimet që zhdukeshin si balona në erë
Mallkoja botën që derdhte gjithe padrejtësitë mbi mua
Ndërsa hidhej valle demonësh, une përflakesha në humnerë…

Në ninullat e mia bija ime është e gjallë merr’ frymë, jeton…
në lutjet e mia është shpërblesë, diell që rrezon
në hiret e jetës bija ime është gëzim…
Mua më zhveshën këmishën e forcës
ngjyrosën murale me gjakun tim….
Por jo, ajo s’do të jetë kurrë për djallëzinë e egër ushqim…!!!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme