Suksesi me i madh për mua nuk është pavarësimi, por momenti kur pavarësimi të arrihet në tërësi, me integrimin e plotë të Kosovës në institucionet dhe ky është një proces i pandalshëm për Kosovën.
Kosova ka potencial të madh, por ky potencial është i pashfrytëzueshëm nëse nuk e zhvilloni tutje, sepse e ardhmja është edhe në duart tuaja.
Këtë mesazh dhe porosi e ka dhënë Zëvendësndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Sfidat në Ardhje të Sigurisë në shtabin e NATO-s, njëherësh ish-zëdhënës i NATO-së gjatë bombardimeve të vitit 1999, në Kosovë, dr Jamie Shae, me rastin e mbajtjes së konferencës: “E ardhmja euroatlantike e Kosovës”, të organizuar nga UBT, me ç’rast edhe nga rektori rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, iu nda Çmimi “Excellence Leadership Award”, çmim me të cilin UBT nderon personalitet më të njohura vendore e ndërkombëtare për kontributin e tyre në sfera të ndryshme të jetës.
Me rastin e nderimit me këtë çmim, dr Shae tha se ndjehet i nderuar që është shpërblyer për kontributin e dhënë, ndonëse sipas tij, e ka bërë atë që do ta bënte çdo njeri me ndërgjegje po të ishte në vendin e tij.
Me organizimin e kësaj konference, UBT ka krijuar edhe zyrtarisht ka themeluar Forumin Euroatlantik, qëllimi kryesor i të cilit do të jetë promovimi i procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës, si dhe për të krijimi i një urë lidhëse midis botës akademike dhe politik-bërësve në Kosovë.
Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi tha se UBT ka privilegjin t’i mbështesë dhe të ofrojë platformë për zhvillimin e punës së studiuesve të rinj, dhe sipas tij, ky forum do ta afrojë Kosovën më afër lidhjeve trans-atlantike, sidomos në fushën e teknologjisë.
“Procesi i integrimit euro-atlantik është në qendër të sulmeve nga vala e fundit e popullzimit dhe përkrahjes për grupe politike të ekstremit të djathtë në Bashkimin Evropian, teksa vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një përgjegjësi të veçantë, si shtetet që më së shumti po përfitojnë nga ky proces, që të prodhojnë më shumë lajmë të mira, duke përmbushur detyrat e shtëpisë, në mënyrë që qytetarët e shteteve anëtare të BE-së të jenë dëshmitarë të fuqisë transformative të procesit të integrimit”, vlerësoi Hajrizi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se Kosova ka një rrugë të gjatë para vetes, për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe NATO-n, nën arsyetimin se, këto procese po ngadalësohen për shkak të vështirësive që po shfaqen në politikën e brendshme e të jashtme.
“Edhe po të merrej vendimi sot vendimi që FSK të shndërrohej në Forca të Armatosura të Kosovës, do të duheshin 10 vite që të kemi një ushtri të plotë dhe duhen bërë përpjekje që me kolegët tanë serbë të kemi një dialog të mirëfilltë dhe t’ua shpjegojmë domosdoshmërinë e krijimit te FAK-ut, sepse nuk duhet që vota e tyre në parlament të shndërrohej në një veto të dyfishtë të Serbisë ndaj Kosovës”, potencoi Hoxhaj.
Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësuesit e Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s, Giorgio Batistti, dr Brooke A. Smith-Windsor dhe Giuseppe Marobito, të cilët rrëfyen historikun, arsyet, rëndësinë dhe funksionit e NATO-s, që nga themelimi e deri më sot.
Në fund, studentët e UBT-së prezantuan esetë e tyre kritike mbi rolin e NATO-s në botë, si dhe ndanë një dhuratë të përgatitur nga vetë ata, për njeriun që cilësohet si njëri ndër ndikuesit më të mëdhenj në çlirimin e Kosovës, dr Jamie Shae.