Jamie Shea: FSK ka sjellë siguri në Kosovë

Prishtinë | 25 Tet 2017 | 12:35 | Nga

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës,  Rrustem Berisha priti në takim ish-zëdhënësin e NATO-s gjatë periudhës së luftës në Kosovë, aktualisht zëvendës ndihmës sekretar i Përgjithshëm për sfidat në ardhje të sigurisë në NATO, Jamie Shea.

Gjatë takimit, ministri Berisha pasi i shprehu mirëseardhje Shea-s për vizitën si dhe mirënjohjen për gjithë kontributin e tij gjatë shërbimit në detyrën e zëdhënësit të NATO-s, duke e cilësuar atë si një prej ushtarakëve i cili përforconte shpresën e popullit të Kosovës, në një periudhë mjaft të rëndë dhe duke shtuar se Jamea Shea është emër i njohur për secilin qytetar të vendit tonë.

Gjithashtu, ministri Berisha e njoftoi zotëri Shea-n për zhvillimin, profesionalizmin dhe sukseset e Forcës së Sigurisë së Kosovës, arritjet në përfshirjen e grave dhe vajzave si dhe pjesëtarëve nga radhët e të gjitha komuniteteve në FSK, duke përplotësuar kapacitetet si dhe duke realizuar me sukses standardet bashkëkohore, standardet e NATO-s për të qenë forcë për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit si dhe kontribuuese për paqen në rajon e më gjerë, e gatshme për të qenë ndërvepruese, me të gjitha kapacitetet e saj, me ushtritë e vendeve të rajonit e më gjerë.

Ministri i FSK-së u fokusua sidomos tek planet për avancimin e misionit të FSK-së, që ka dalë si nevojë nga procesi i Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, si dhe duke vlerësuar përgatitjet dhe gatishmërinë operacionale të FSK-së, ai tha se është kohë e duhur që me angazhimet e faktorëve institucionalë dhe politikë të vendit të përmbyllim, të gjithë bashkërisht, këtë proces me vendim politik, në konsensus të plotë, të koordinuar brenda vendit, në transparencë të plotë me partnerët strategjikë dhe me NATO-n.

Nga ana e tij ish-zëdhënësi i NATO-s, zotëri Jamea Shea tha se ndjehet i impresionuar me progresin e arritur në zhvillimin e FSK-së dhe vlerësoi se të gjitha angazhimet e mëhershme, kontributi dhe sakrifica për paqe dhe siguri në Kosovë, kanë bërë që Kosova të prosperojë e pavarur në rrugën e saj.

Zotëri Jamea Shea në fund e përgëzoi ministrin për detyrën duke u shprehur: ,,Njeriu i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur’’.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme