Janjiq akuzon pushtetin se ndaj Kosovës po ndjek “ideologjinë dështuese të Qosiqit”

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 12:14 | Nga

Beograd, 22 gusht – Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq thotë se fushata mediatike kundër tij është planifikuar në mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare, me qëllim që të përgatitet terreni për referendumin mbi Kosovën dhe të shmangies së vëmendjes së opinionit nga thelbi i çështjes. Kështu i deklaroi ai “Danasit” të Beogradit, transmeton Koha.net.

Sipas tij, “dorëzimi i pjesës më të madhe të Kosovës e Metohisë është projekt shtetëror, në pjesën më të madhe i mbështetur në ideologjinë e akademikut Dobrica Qosiq, të përshkruar në librin “Kosova” nga viti 2004, ndërsa “regjimi aktual, si trashëgimtar i ideologjisë dështuese të Qosiqit synon ta detyrojë popullin serb që përmes referendumit t’i bëjë vetvetes amputim territorial e shpirtëror”.

“Qëllimi i bisedimeve midis Beogradit e Tiranës me pjesëmarrjen e Prishtinës, që aktivisht zhvillohen që nga viti 2016, sado që ideja është e vjetër, është që Kosova të shkrihet në Shqipëri dhe duke ia dorëzuar Shqipërisë së madhe të shmanget “kafshata” e rëndë e njohjes së Kosovës”, është shprehur Janjiq, transmeton Koha.net.

Sava Janjiq është shprehur botërisht kundër paralajmërimeve të presidentit të Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe kufizimin me të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme