Rrahman Jasharaj flet për “grevë të heshtur” në arsim, thotë se Murati e mbajti fjalën e inatit për koeficient

Prishtinë | 10 Shk 2024 | 08:35 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Arsimi u përballë me grevë disamuajshe vitin e kaluar, por një të tillë nuk e përjashton sërish kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, por që kësaj radhe po e quan “grevë të heshtur”, raporton Ekonomia Online.

“Greva e heshtur”, sipas Jasharajt, nënkupton mungesën e vullnetit të mësimdhënësve për shkak të pakënaqësive me Ligjin e Pagave.

Nga ky vit, vlera e koeficientit është ngritur nga 105 në 110 euro, por që nuk ka kënaqur mësimdhënësit. Ata kishin kërkuar që ky koeficient të jetë së paku 130 euro.

“‘Grevë të heshtur’ e kam quajtur kur mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë në tërë sektorin publik janë të pakënaqur dhe nuk japin kontributin e duhur. ‘Grevë e heshtur’ në arsim nënkupton kur mësimdhënësit i humbin disa minuta para orës mësimore, hyjnë në debatet që hapen në sallat e arsimtarëve për pakënaqësi që nuk  gjejnë zgjidhje, kryesisht në rastin konkret kur kryeministri, ministrja Nagavci as që duan të takohen me ne e të dëgjojnë hallet tona. Si rast më konkret i një rreziku për grevë të heshtur është pakënaqësia tejet e madhe, në arsim, polici, zjarrfikës me rastin e koeficientit nga 105 në 110 që është ironike”, deklaroi Jasharaj.

Ai tha se paga këtë vit është ngritur vetëm 28 euro.

Jasharaj ka edhe një tjetër shqetësim, atë të largimit të mësimdhënësve nga Kosova. Thotë se trendi i largimit të tyre në Perëndim sidomos pas liberalizimit është i madh. Sipas tij, më shumë se 300 mësimdhënës kanë kërkuar “pushime pa pagesë”.

“Ne nuk kemi shifra të sakta, sepse nuk jemi marrë drejtpërdrejt me këtë çështje, por çka të nëpër komuna e dinë dhe kur e morëm numrin prej 300 e që po rriten, kemi pritur që Drejtoria Komunale e Arsimit e MAShTI do të kenë takime urgjente për të parë çka e pse po ndodh kur dihet se vitet e kaluar numri i atyre që kanë kërkuar pushim pa pagesë ka qenë minimal. Jemi frikësuar shumë nga kjo rritje, pasi mund të kalojë në shprehi, e mund të ndodh që të kemi ikje të vazhdueshme dhe them se mësimdhënësit e Kosovës nëse zgjedhin rrugë të tillë nuk bëjnë mirë, mirëpo arsye kanë ngase janë të zhgënjyer”, u shpreh Jasharaj.

Hatërmbetje kanë edhe ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për të cilin thotë Jasharaj se si për inat e “mbajti fjalën” për të mos e ngritur koeficientin më shumë se 110 euro.

“Kanë pritur shumë nga Ligji i Pagave që i zhgënjeu arsimtarët, e edhe nga Qeveria se mos do e ngritë koeficientin e pagave së paku në 130 euro dhe si për inat e mbajti atë fjalën që e kishte thënë Murati në gjysmën e vitit të kaluar se ngritja do jetë nga 105 në 110 dhe kjo krijoi zhgënjim, jo për t’u pasuruar këta njerëz por për t’u përballuar më lehtë. E kur merren parasysh kushtet e tmerrshme në shekullin e 21-të, kolegët e mi bëjnë luftë për arsim cilësor me shkumsa, karshi kolegëve në shtetet e zhvilluara që ata punojnë me projektor e laptop me mësimdhënës të cilit figura e mësuesve lëndohet”, u shpreh tutje Jasharaj.

Të ngjashme