Jasharaj: Mungesa e ditarëve nuk e pengon procesin mësimor

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se mungesa e ditarëve në fillim të vitit të ri shkollor nuk ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e procesit mësimor, por ka kërkuar që ata të sigurohen sa më shpejt për të shmangur ngarkesën shtesë për mësimdhënësit, raporton Ekonomia Online.

Jashari ka vlerësuar pozitivisht fillimin e vitit të ri shkollor pa protesta e greva, duke thënë se mësimdhënësit kanë qenë të gatshëm për fillimin e procesit mësimor.

 Ai ka thënë se, ndonëse vonesa e ditarëve nuk është e mirë, mësimdhënësit mund të vazhdojnë me shpjegimin e njësive mësimore dhe më pas t’i evidentojnë ato në ditar.

“Po sa i takon realizimit në procesit mësimor mungesa e ditarëve nuk ndikon, mësimdhënësit mund të shpjegojnë njësitë mësimore, pastaj kur vijnë ditarët po uroj që të mos vonohen shumë t’i vënë ato orë pastaj në ditar. Domethënë nuk është ndonjë çështje që lidhet drejtpërdrejt me procesin mësimor. E mira është që viti shkollor filloi, nuk patë protesta dhe greva. Mësimdhënësit janë të gatshëm edhe kanë qenë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor dhe kjo na gëzon, ndërsa urojmë që ditarët mos të vonohen shumë sepse pastaj do t’ju dalë pak më shumë punë mësimdhënësve për t’i vënë njësitë e shpjeguar, për t’i vënë përsëri njërën pas tjetrës në ditar dhe për t’i vënë edhe mungesat eventuale të nxënësve”, tha ai.

Kreu i SBASHK-ut tha se vonesat në sigurimin e ditarëve nuk janë pozitive, por sipas tij, drejtoritë komunale të arsimit dhe Ministria e Arsimit duhet të kenë informacione më të sakta për pengesat që kanë shkaktuar këtë situatë.

“E domethënë po nuk është e mirë që ka këto vonesa po besoj që DKA-të e dinë më mirë ku është pengesa, pse nuk kemi ditarë deri tani. Domethënë drejtoritë arsimore me siguri kanë komunikuar me MASHT-in dhe ata e dinë saktë ku është problemi është te ndonjë botues eventual, nuk është e mirë që janë vonuar po në procesin drejtpërdrejt mësimor nuk e pengojnë mungesa e tyre”, tha ai.

Jasharaj, ka folur edhe për mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore, duke përsëritur qëndrimin e SBASHK-ut, se kjo nuk është mënyra më e mirë për furnizimin e nxënësve me libra.

“Të them të vërtetën ne e kemi thënë publikisht, ne kemi thënë që vitin e parë kur kanë filluar në këtë mënyrë kemi qenë kundër, kemi menduar dhe mendojmë se nuk është mënyra më e mirë e shpërndarjes së teksteve mësimore, kemi mënyrë më e mirë shumë ka qenë ajo e përparshmja kur MASHT-i ka lidh marrëveshje me botuesit dhe botuesit i kanë dërguar librat në shkolla dhe pastaj gjatë javës së parë janë shpërndarë janë marrë nga mësimdhënësit”, tha ai.

Megjithatë, ai tha se këtë vit procesi i furnizimit me tekste shkollore ka rrjedhur më mirë krahasuar me dy vitet e kaluara, duke shtuar se nuk kanë pranuar ankesa për mungesa të theksuara të librave.

“Sidoqoftë këtë vit duhet pranuar gjërat kanë rrjedhë më mirë karshi dy viteve të kaluara sepse po them furnizimi i librarive ka ndodhur në kohë dhe blerja e librave ka ndodhur edhe pse me rradhë bukur të gjatë te libraritë. Sidoqoftë nuk kemi ndonjë shënim nga kolegët tanë nëpër komuna se ka mungesë të theksuar të teksteve domethënë pjesa dërrmuese e prindërve i kanë ble i kanë siguruar me kohë dhe është e mirë që janë caktuar edhe çmimet për secilën paralele gjegjësisht klasë çmimet dhe nga bisedat e para del se aty për aty këto çmime, këto vlerat e parave që janë alokuar te prindërit kanë qenë të bukur të sakta”, tha Jashari.

Të ngjashme