Jasharaj – Qeverisë Kurti: Llafe të bukura për ngritjen ekonomike, por unë e kam një lutje

Prishtinë | 23 Sht 2024 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë duhet ngritur urgjentisht vlerën e koeficientit së paku 30 për qind.

Ai thotë se Qeveria Kurti nuk po merret me kërkesat e tyre, që sipas tij janë legjitime.

Reagimi:

Llafe të bukura për ngritjen ekonomike, po unë e kam një lutje.

I lexoj me vëmendje deklaratat e Kryeministrit Kurti e të ministrit Murati lidhur me rritjen ekonomike në pritje se pasi i paskemi punët kaq mirë do të marrin vendim për të realizuar kërkesën, që nuk është vetëm e SBASHK-ut, për ngritje urgjente të vlerës së koeficientit për se paku 30%. Por kjo nuk po ndodh e unë e kuptova se ata flasin ashtu e lavdërohen se puna e do ashtu.

Mirëpo nuk munda të hesht duke e lexuar deklaratën e vlerësimin e deputetit Armend Muja për rritjen ekonomike në Kosovë.

Kjo deklaratë ka bërë që gjithë të punësuarve në arsim, në sektorët tjerë dhe pensionistëve t’u mbetet edhe më shumë hatri në Qeverinë Kurti pse nuk po merret me kërkesat tona legjitime për ngritjen e vlerës së koeficientit, për ngritjen e pensioneve dhe për kthimin e 0.5 % për të gjitha vitet e shërbimit ashtu siç ka thënë edhe Kushtetuesja. Ne po lexojmë se shtetet e Ballkanit me atë rritjen e tyre të ulët ekonomike kanë bërë goxha ngritje të pagave e të pensioneve.

Unë nuk jam ekspert i ekonomisë, por nëse vërtetë është e saktë se qenkemi në top katërshen e vendeve të Evropës e të parët në Ballkanin Perëndimor për nga rritja ekonomike , atëherë e lus deputetin Muja që këtë t’ua thotë Kryeministrit Kurti e ministrit Murati dhe ata të veprojnë.

Nuk është mirë të jemi në top katërshen e shteteve të Evropës e të parët në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike e në fund të pusit me ngritjen e pagave e të pensioneve krahasuar me të gjitha këto shtetet e rajonit e të Ballkanit.

Të ngjashme