Absurde dhe të dëmshme për sistemin e drejtësisë, po i konsideron avokati i njohur kosovar Arbër Jashari përplasjet ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial.
Jashari ka thënë për Ekonomia Online se institucionet duhet të reflektojnë, teksa ka kërkuar që mospajtimet të zgjidhen me tryeza. Ai i konsideron konferenca bajate që nuk i shërbejnë opinionit publik dekalrimet në medie të krerëve të këtyre institucioneve.
“Për mendimin tim është absurde kjo lufta me konferenca, ato duhet të reflektohen si institucione shtetërore dhe mospajtimet që i kanë duhet t’i zgjidhin në tryeza të bisedimeve, të flasin ndërmjet vete, ato janë institucione kushtetuese dhe secila në bazë të kompetencave të veta pa u ndikuar në punën e njëra-tjetrës, ato mund të flasin dhe mund t’i sqarojnë dilemat që i kanë”.
“…mirëpo jo që ta terrorizojnë opinionin me konferenca bajate të cilat nuk i shërbejnë absolutisht drejtësisë e as nuk i shërbejnë qëllimit të mirë informimit të opinionit publik, thjesht krijojnë konfuzion dhe një situatë tensionuese te njerëzit”, u shpreh Jashari.
Duke folur për këtë çështje, Jashari ka thënë se puna e gjyqësorit dhe Ministrisë është e paraparë me Kushtetutë, dhe si e tillë asnjëra nuk guxon të ndërhyjë në punën e njëra-tjetrës.
“Kushtetuta i ka paraparë detyrat e secilit dhe secili institucion duhet të reflektojë mbi ato kompetenca, dihet cilat janë ato të Ministrisë së Drejtësisë, ajo nuk guxon të ndërhyjë në drejtësi, pra ajo është e obliguar ta ndihmojë sistemin gjyqësor me legjislacion dhe me aspekte tjera teknike, por jo të ndikojë në pavarësi ose në integritetin e Këshillit Gjyqësor”, u shpreh Jashari.
“Mbi këtë bazë ato duhet të ulën e të diskutojnë dhe të ketë një frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi por jo kështu frymë armiqësore thuajse janë institucione të shteteve të ndryshme”.
“Tek e fundit, qytetarëve fare nuk i intereson dhe nuk e ka idenë kush është Ministria e Drejtësisë, kush është Këshilli Gjyqësor e Prokurorial apo kush është fajtor për situatën e krijuar, por qytetari kërkon drejtësi dhe dëshiron të shohë se krimi po ndëshkohet”, tha tutje Jashari.