Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, është shprehur se punëtorët e sektorit publik janë të zhgënjyer pas vendimit së Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të pagave, si dhe e konfirmoi mbajtjen e protestës.
“Është një lajm i hidhur dhe shokues, sepse u vërtetua ajo që jemi frikësuar dhe mbi 60 mijë punëtorë të sektorit publik janë tejet të zhgënjyer, dhe ky vendim i Kushtetueses është njëri nga lajmet më të këqija që ka marrë SBASHK-u ndonjëherë”.
“Greva e paralajmëruar e nesërme dyorëshe do të mbahet. Ajo që mund të them për momentin është se zhgënjimi është tepër i madh. Është krijuar një situatë goxha e keqe në tërë sektorin e arsimit por edhe në shëndetësi dhe te tjerët”.
“Pritjet e 60 mijë njerëzve për t’i marrë pagat me ligj do të kthehen ne zhgënjim dhe se çfarë do të ndodhë tutje unë nuk mund ta them sot, varet se çfarë drejtimi do të sjellë këshilli drejtues së bashku me kryetarët e niveleve komunale dhe ata të universitetit, dhe unë do t’i qëndroj në krye të veprimeve që ata vendosin”.
“Nuk është dashur të ndodhë kjo, sepse u është thënë se edhe buxheti ekziston dhe se do t’i marrin pagat ne dhjetor. Kështu si është vepruar na kanë vënë në një pozitë tepër të pakëndshme”, u shpreh Jashari. Klan.Kosova.