Kampionati elitar i Kosovës në futboll është bërë më se interesant pasi në garë për titull janë gjashtë skuadra të ndryshme.
Kësisoj çdo xhiro po bëhet më e nxehtë se tjetra pasi pikët janë tejet të rëndësishme për të gjitha skuadrat.
Java e 21-të do të filloj me dy ndeshje tejet interesante ditën e premte (sot).
Padyshim që ndeshja kryesore pritet të jetë në qytetin e Gjilanit ku lideri aktual Drita do ta presë Vëllaznimin nga Gjakova.
Gjilanasit vijnë në këtë takim pas fitores së madhe në udhëtim te Llapi 0-1.
Skuadra e Bekim Isufit llogaritet favorite në letë përballë Vëllaznimit që ka ditur të jetê e rrezikshme për skuadrat e kreut këtë edicion.
Gjakovarët në ndeshjen e fundit dominuan Prishtinën por ndeshja në fund nuk solli fitues duke përfunduar pa gola 0-0.
Këtë takim do ta drejtojë gjyqtari Tefik Maloku me ndihmësit Meriton Berisha dhe Erdoan Baliqi.
Ndeshje tejet interesante pritet të zhvillohet edhe në Prizren mes Lirisë dhe Feronikelit.
Të dyja skuadrat në pranverë kanë marrë nga një fitore dhe nga një humbje dhe kjo ndeshje do të thotë shumë për ta.
Gabimi nuk i lejohet asnjërës skuadër pasi do të mbeteshin mbrapa në garë për titullin e kampionit.
Si Bledi Shkëmbi i Lirisë ashtu edhe Ismet Munishi i Feronikelit do të kërkojnë nga futbollistët e tyre vetëm tri pikët në këtë përballje.
Të dyja takimet pritet të fillojnë nga ora 13:00.