Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e së enjtes e ka miratuar rregulloren (05/2017) për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores (14/2016) si dhe për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores (09/2017) për procedurat e zgjedhjes, emërimit, vlerësimit, pezullimit dhe shkarkimit të kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës.Kjo rregullore i hapë rrugë procesit të ri të votimit për kryetar të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se pritet që javën e ardhshme të përmbyllet ky proces. “Ne do të zhvillojmë një takim nesër dhe do të dakordohemi për ditën e mbajtjes së procesi të votimit për kryetar të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit. Besoj se kjo do të ndodhë javën që vjen, pasi nuk kemi më se çfarë të presim”, deklaroi Idrizi.
Pavarësisht rekomandimeve të partnerëve ndërkombëtarë që votimi për kryetar të gjykatave dhe gjyqtarë mbikëqyrësh të jetë i hapur dhe transparent, nëntë anëtarë të KGJK-së kanë votuar që ky proces, megjithatë të jetë i mbyllur.Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Armend Berisha, ka treguar argumentet, që sipas tij, janë bazë e mjaftueshme që votimi duhet të jetë i mbyllur.
“Votimi i hapur i qet anëtarët e Këshillit Gjyqësor para presionit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 45 shumë qartë e përcakton se vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Po ashtu, kjo nuk bie fare në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi edhe vetë Gjykata Kushtetuese e zgjedhë Kryetarin e saj me votim të fshehtë”, deklaroi Berisha.
Ndryshimi i kësaj rregulloreje nga ana e KGJK-së erdhi si domosdoshmëri për faktin se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte gjetur parregullsi në procesin e votimit për kryetar të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte anuluar vendimin e KGJK për propozimin e Enver Pecit për kryetar të Supremes, dhe vendimin për zgjedhjen e Hasan Shalës për kryetar të Apelit.