Artistja e njohur e Hollwyoodit, Jennifer Lopez, kishte dëshirë të qartë për paraqitjen e saj në spektaklin e ndarjes se çmimeve “Golden Globes”, të ishte “ndryshe dhe e veçantë”.
Ylli i filmit “Hustlers” zgjodhi një fustan të vjetër couture nga viti 2003, i krijuar nga disenjatori Jean-Louis Scherrer, i cili kishte rrjetë transparente dhe fund me tyl në formë sirene.

Vendimi erdhi pothuajse instinktivisht, pasi fustani i përshtatej në mënyrë perfekte sapo e provoi.
Stilistja e saj, Mariel Haenn, ka treguar për revistën Harper’s Bazaar se kërkimi nisi pa një ide specifike për fustanin, por me synimin për diçka të veçantë.
“Jennifer vendosi që donte të bënte diçka ndryshe dhe speciale, ndaj shkuam të shikonim te Lily Et Cie, që ka një përzgjedhje të jashtëzakonshme të fustaneve couture arkivor, në nivel muzeu”, ka thënë Haenn.
Ajo ka shtuar se zgjedhja ishte e menjëhershme.
“Nuk e dinim saktësisht çfarë do të vishte, por sapo pamë këtë fustan, e kuptuam që ishte ai. Sidomos kur e provoi dhe i rrinte në mënyrë perfekte, sikur të ishte bërë posaçërisht për të. Nuk pati shumë dilema, ishte mahnitës që në momentin e parë”.

Pamja u plotësua me një stil flokësh të frymëzuar nga supermodelet e fillimit të viteve 2000, realizuar nga stilisti i saj i përhershëm i flokëve, Chris Appleton.
“Pamja u frymëzua nga glamuri i supermodeleve të fillimit të viteve 2000. Donim diçka të skalitur, me shkëlqim dhe shumë të pastër në formë, por me një kthesë moderne”, ka shpjeguar ai.
Ai ka shtuar se flokët u mbajtën të lëmuar dhe pa volum.
“Në vend që të ishin të fryra dhe të lira, donim diçka më elegante. Doja gjithashtu të nxirrja në pah ngjyrën ikonike të Jenniferit, me fijet bionde që dalin në pah. Një fije e vetme që binte në mes të fytyrës e bëri gjithë pamjen të dukej e natyrshme”, ka thënë Appleton.

Grimi, i realizuar nga Scott Barnes, u përqendrua te stili “smokey eye” që realizohet me shkrirje të grimit të syve me ngjyrë të zezë. Kurse lëkurën e bënë me tone të ngjyrës bronz, për të reflektuar luksin e fustanit.
“Pamja shkëlqente me tone të ngrohta karameleje, nuanca ari të butë që shkriheshin me lëkurën dhe i jepnin gjithë momentit një ndjesi moderne dhe sensuale”, ka thënë Barnes.

Ai ka shtuar se ngjyrat dhe fustani krijuan një harmoni të plotë.
“Së bashku, ngjyra dhe veshja formuan një paletë të unifikuar dhe të zjarrtë, që e ngriti siluetën klasike në diçka bashkëkohore dhe joshëse. Çdo detaj ishte i lidhur në një deklaratë të vetme, elegante dhe të kuruar”, ka thënë grimeri.