Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Curr Gjocaj, ka dhënë dorëheqje.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Posa u njoftova se drejtori i ShSKUK-së, Curr Gjocaj, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. E falënderoj për punën dhe pres që Bordi Drejtues të marrë vendime të shpejta për plotësimin e menaxhmentit”.
“Shëndetësia ka nevojë për reforma të thella. Na pret një rrugë e gjatë, por atë tashmë e kemi filluar”, ka shkruar ministri Ismaili.
Dorëheqja e Gjocajt vjen pas disa rasteve të vdekjeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjatë operacioneve. Dyshimet e para janë se vdekjet kanë ardhur nga përdorimi i oksigjenit industrial.
Por, sipas burimeve të “Kohës Ditore”, Zyra Ligjore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, dje ka kthyer përgjigje në kërkesën e ministrit Ismaili nëse rizgjedhja e Gjocajt nga bordi të cilit i kishte skaduar mandati, ishte e ligjshme.
Sipas kësaj zyre, ky bord në maj të këtij viti e ka zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme Gjocajn.
Një burim i ka thënë gazetës se bordi është dashur të mblidhet sot për ta shkarkuar Gjocajn. Por, para mbledhjes, ai ka ofruar dorëheqje.