Jeremiq: S’do të ketë zgjidhje të shpejtë Kosovë-Serbi pavarësisht se kush fiton në ShBA

Prishtinë | 04 Nën 2020 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq beson se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhen së shpejti, pavarësisht se kush do të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai vlerëson se politika e ShBA-së ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar gjatë mandatit të fundit të Donald Trump, dhe se qëllimi i Amerikës është që ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën, transmeton Gazeta Express.

“Politika e ShBA-së ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar gjatë administratës së Donald Trump dhe të gjitha dokumentet me nënshkrimin e tij ende e bëjnë të qartë se qëllimi përfundimtar i Amerikës në këtë drejtim është që Serbia ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur”, ka thënë Jeremiq.

Ai ka shtuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po i dërgonte sinjale Perëndimit se ai ishte i gatshëm për ta zgjidhur problemin me Kosovën.

“Në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të bëjnë presion ndaj Serbisë për të nënshkruar shpejt njohjen e pavarësisë së Kosovës, nevojitet një presion i fortë ekonomik përmes organizatave financiare ndërkombëtare, por kjo kërkon një shkallë të lartë angazhimi dhe përparësie, të cilën administrata amerikane nuk do ta kishte, kushdo që fiton”, tha Jeremiq.

Ai shtoi se “Ballkani është një përparësi relativisht e ulët” për politikën e jashtme amerikane dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim të politikës ndaj këtij rajoni.

“Edhe nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara ndryshon, çështjet më të rëndësishme për Amerikën do të jenë në rendin e ditës, nga marrëveshjet shumëpalëshe te rikalibrimi i marrëdhënieve me Evropën dhe Kinën” tha Jeremiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme