Jeta dhe karriera e anëtares së Gjykatës Supreme në SHBA, Ruth Bader Ginsburg

Prishtinë | 19 Sht 2020 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Anëtarja e Gjykatës së Lartë së Shteteve të Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg u nda nga jeta dje në banesën e saj në Washington, në moshën 87 vjeçare.

Gjykatësja Ginsburg vdiq nga komplikimet nga kanceri i pankreasit, njoftoi Gjykata e Lartë. Ginsburg, një zë i fuqishëm për kauza liberale ishte vetëm e dyta grua që bëhej anëtare e Gjykatës së Lartë.

“Kombi ynë ka humbur një gjykatëse me një stature historike”, tha përmes një deklarate Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts.

Anëtarja e Gjykatës Supreme Ruth Bader Ginsburg, gruaja e dytë që shërbeu në gjykatën më të lartë amerikane, e filloi profesionin në një periudhë kur kishte shumë pak gra juriste. Ajo u përpoq gjatë karrierës së saj të zgjeronte barazinë e grave dhe arriti në statusin e pothuajse një ikone në radhët e qarqeve progresiste. Ginsburg lindi më 15 mars 1933, në Bruklin të New Yorkut dhe vdiq në moshën 87 vjeçare në Washington.

Image

Më 10 gusht 1993, Ruth Bader Ginsburg u bë gruaja e dytë në historinë e Shteteve të Bashkuara që u bë anëtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Ginsburg e dinte se ajo dëshironte të bëhej avokate që në vitin e tretë në kolegj.

Ajo ishte e motivuar nga “frika e kuqe” që mbërtheu kombin në vitet 1950, kur amerikanët kishin frikë nga kërcënimi i perceptuar nga Bashkimi Sovjetik.

Në një proces të udhëhequr nga senatori Joseph McCarthy, mijëra njerëz u akuzuan publikisht si komunistë.

“Kishte avokatë të guximshëm që ngrinin zërin për ata njerëz dhe po i kujtonin Senatit tonë, të shikonin Kushtetutën, të shikonin amendamentin e parë, se çfarë thuhet aty? Nëse avokatët mund të na ndihmojnë të kthehemi në kontakt me vlerat më themelore, kjo është ajo që unë dua të jem”, tregonte Ginsburg.

Prindërit e Ginsburg nuk e inkurajuan atë të studionte për drejtësi, të frikësuar se nuk do të ishte në gjendje të gjente një punë në profesionin e mbizotëruar nga burrat.

Por, Ginsburg ishte e vendosur. Dhe pasi u diplomua nga Universiteti Cornell në 1954, ajo u pranua në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit Harvard, vetëm pesë vjet pasi filloi të pranonte gra.

“Kur hyra në fakultetin e drejtësisë, ishim mbi 500 vetë, nëntë prej nesh ishin gra”, tregonte Ginsburg.

Dy vjet më vonë, burri i saj – Martin Ginsburg, një avokat i njohur i taksave dhe profesor i drejtësisë – filloi punë në qytetin New York, dhe Ginsburg u transferua në Shkollën e Drejtësisë në Columbia ku ajo mori diplomën e saj në 1959.

Dhe, siç e kishin parashikuar prindërit e saj, ajo e pati të vështirë të hynte në botën e burrave.

“Nuk kishte asnjë firmë të vetme (ligjore) në të gjithë qytetin e New Yorkut që të ishte e gatshme të rrezikonte me mua”, tha ajo.

Por me ndihmën e një profesori, ajo filloi një punë zyre.

Menjëherë pas kësaj, ajo filloi të jepte mësim në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Rutgers dhe atë të Universitetit Columbia.

Në 1972, Ginsburg themeloi Projektin për të Drejtat e Grave, për të punuar për barazinë për gratë dhe vajzat, në të gjitha sferat e jetës.

“Në atë kohë kishte shumë, shumë ligje që u jepnin përparësi burrave ngaqë thjesht ishin burra”, thotë Lenora Lapidus.

Lapidus është drejtore e Projektit të të Drejtave të Grave, në Unionin Amerikan për Liritë Civile (ACLU).

“Gjatë gjithë viteve 1970, ndërsa drejtoi Projektin për të Drejtat e Grave, ajo solli çështje gjyqësore të njëpasnjëshme në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të përcaktohej që Kushtetuta ndalonte diskriminimin seksual”, thotë Lapidus.

Dy dekada më vonë, Ruth Bader Ginsburg ishte anëtare e asaj Gjykate, e emëruar në 1993, nga Presidenti Bill Clinton.

Gjatë kohës së saj në Gjykatën e Lartë, ajo ishte një zë elokuent për anën liberale të kësaj trupe.

Ginsburg besonte se pengesat gjinore me të cilat përballen gratë në vendin e punës sot janë zhdukur në Shtetet e Bashkuara.

Ajo që mbetet, tha ajo, është diçka që nuk mund ta vendosë një gjykatë; që shoqëria amerikane të jetë e hapur ndaj idesë që gratë dhe burrat kanë nevojë për një ekuilibër midis punës dhe familjes.

Ginsburg ekuilibroi jetën e saj si nënë e dy fëmijëve që punonte, me dashurinë dhe mbështetjen e burrit të saj Martin, i cili ndërroi jetë në 2010.

“Gjëja më e rëndësishme ishte që kisha një partner të jetës, burrin tim, i cili mendonte se puna ime ishte të paktën po aq e rëndësishme sa e tija, dhe që dëshironte shumë të bëhej pjesë e viteve të rritjes së fëmijëve të tij”, tha Ginsburg.

Anëtarja e Gjykatës së Lartë thoshte se ajo gjithmonë përpiqej të bënte atë që ajo besonte se është e drejtë.

“Shpresoj që të kujtohem si dikush që e donte ligjin, e donte vendin e saj, e donte njerëzimin, çmonte dinjitetin e çdo individi dhe punonte sa më shumë me çfarëdo talenti që kishte, për ta bërë botën pak më të mirë se .’ishte”, thoshte Ginsburg.

Të ngjashme