Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim humanistin Halil Kastrati që është kryetar i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.
Në takimin e sotëm Veliu, ka falënderuar humanistin Kastratin për kontributin e shoqatës që ai drejton, për të ndihmuar familjet skamnore.
“Gjatë takimit, Kastrati e informoi Kryetarin Veliu se Shoqata “Jetimat e Ballkanit” sivjet ka ndërtuar 15 shtëpi për familje me gjendje të rëndë ekonomike, të cilat nuk e kishin të zgjidhur çështjen e banimit”, thuhet në kumtesën e komunës.
Kastrati ka thënë poashtu se kjo shoqatë gjatë këtij viti ka ndihmuar shumë familje me pako ushqimore, ka ndarë bursa për studentët e familjeve skamnore dhe ofron ndihmë mujore financiare për fëmijët jetimë.
Veliu dhe Kastrati janë dakorduar që bashkëpunimin mes Komunës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” ta ngrisin në nivel institucional, në mënyrë që të përfshihet një numër sa më i madh i familjeve në nevojë.