Në konferencën për media, të mbajtur sot nga kryesuesi i Komisionit Komunal të Aksionerëve, Xhelal Jetishi, ka prezantuar punën që po bëhet në ndërmarrje duke e përshkruar gjendjen atje me balance negative në Kompaninë “EkoHigjiena”, të cilat janë të vazhdueshme që nga fillimi.
Jetishi ka bërë të ditur se marrëveshja dhe qëllimi i kësaj kontrate mes partnerit publik dhe atij privat tashmë ka humbur efektin e saj, sepse siç ka thënë ai, nuk është përmbushur nga partneri privat as për së afërmi.
“Kjo marrëveshje duket se e ka humbur efektin e saj për çfarë është lidhur. Vetëm në aspektin e investimeve partneri privat ka investuar deri më tani 573 mijë e 774 euro, kurse Kompania Regjionale e Mbeturinave “Higjiena” ka investuar 880 mijë e 98 euro. Partneri privat në këtë aspekt ka vepruar sikur të kishte 39 për qind të aksioneve e jo 51 për qind”, ka thënë Jetishi.
Ai tha se edhe në aspektin e bilancit të të hyrave dhe shpenzimeve, menaxhmenti sipas raporteve zyrtare ka shënuar trend negative, sepse ka bërë më shumë shpenzime se sa të hyra.
“Bilancet janë të tilla që menaxhmenti ka bërë më shumë shpenzime se sa të hyra në këtë kompani. Shpenzimet për paga të punëtorëve janë mbi 700 mijë euro, marketing mbi 10 mijë euro, shpenzime administrative mbi 55 mijë euro, pagesa për ekspert të jashtëm mbi 36 mijë euro, mirëmbajtje rreth 45 mijë euro dhe dhjetëra mijëra euro të tjera të shpenzuara që shpenzimet në këtë kompani arrijnë në mbi 1.2 milionë euro”, ka potencuar Jetishi.
Ai tha se kur i shtohen kësaj borxhet ndaj ATK-së, furnitorëve, Deponisë, pagave të punëtorëve etj, dallin gjithashtu borxhe marramendëse.
Kryesuesi i Komisionit të Aksionarëve, ka bërë të ditur gjithashtu se kjo ndërmarrje ende faturon vetëm 50 për qind të ekonomive familjare në Gjilan.
“Kjo ndërmarrje ende faturon vetëm rreth 11 mijë klientë në Gjilan. Nëse krahasohet me Kompaninë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, e cila fatura mujore shpërndanë për mbi 20 mijë klient duke vepruar në një territor edhe më të vogël sepse rrjetin e furnizimit me ujë nuk e ka në disa fshatra si Cërnica, Bresalci etj, del se “Eko-Higjiena”, është një kompani që nuk punon në evidentimin e klientëve të saj, që normalisht ndikon edhe në të hyra më të vogëla. Gjithashtu, vlenë të përmendet se qytetarët i përgjigjen pagesave të faturave dhe janë të kulturuar në këtë aspect, por gjithnjë sipas tij ka vend edhe për më mirë”, potencoi ai mes tjerash.
Jetishi ka garantuar se kjo ndërmarrje po të kthehet sot nën menaxhimin e plotë të partnerit publik, përsëri do të funksionoj më mirë me një përqindje jashtzakonisht më të lartë.