Jetlir Zyberaj, këshiltari i ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, pas aksionit të sotëm në veri të Kosovës ku u arrestuan dy persona i ka bërë thirrje Serbisë që të mos abuzojë politikisht me këtë operacion.
“Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një operacion në veri të Kosovës për të arrestuar të dyshuarit e përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Është pjesë e përpjekjeve të Kosovës për sundim të ligjit dhe të rendit”.
“Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të mos abuzojë politikisht me këtë operacion, por të bashkëpunojë me agjencitë e zbatimit të ligjit të Kosovës për të zbuluar të vërtetën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, ka shkruar ai në Facebook.
Në aksionin e sotëm në veri të vendit janë arrestuar dy persona dhe një i tretë është në kërkim.
Bëhet fjalë për hetuesin policor, Rade Basara dhe djalin e shefit të operativës së policisë për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq.
Ky i fundit është poashtu në kërkim të forcave të rendit.
Ata dyshohen për krim të organizuar, pjesëmarrje në fshehjen e provave dhe veprimtarive tjera që kanë të bëjnë me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.