Jevtiq: Mbrëmë ishte një natë e rrezikshme dhe e tensionuar

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 16:06 | Nga

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ka thënë sot se të premten në Kuvendin e Kosovës ka qenë gjendje e rrezikshme dhe e tensionuar, ku u debatua për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e cila do të merret me krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së dhe ka shtuar se Lista Serbe është kundër kësaj iniciative.

“Nisën të vinin ambasadorët e SHBA-së dhe të Britanisë në Kuvendin e Kosovës dhe mbretëroi një gjendje që s’ishte aspak e lehtë. Krejt kjo që ndodhi ditëve të fundit, peticioni, pastaj nënshkrimi i 43 deputetëve që të shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale është befasuese dhe askush nuk ka një sqarim të saktë se për çfarë arsye po ndodhë krejt kjo”, tha Jevtiq në televizionin serb “Palma Plus”, transmeton Koha.net.

I pyetur nëse ka informacione se kërkesa për shfuqizimin e ligjit për Specialen lidhet me informatat se në listën e kësaj Gjykate gjenden emra të funksionarëve të lartë të establishmentit politik shqiptar, Jevtiq tha se do të ishte joserioze të pohonte se kjo është arsyeja e ngjarjeve të mbrëmshme.

“Nuk është aspak fshehtësi se mbrëmë kam pasur rastin të dëgjoj komente të tilla në qarqe të Prishtinës që ishin shumë serioze, por nëse ka diçka të vërtetë në këtë unë vërtet nuk e di dhe do të ishte joserioze që tani unë apo kushdo tjetër, të themi se kjo është arsyeja e zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës… megjithatë, e gjithë kjo pa dyshim se na ka befasuar dhe nuk ka qenë aspak natë e lehtë… ka qenë një natë e rrezikshme”, ka vlerësuar ai.

Ka përsëritur se qëndrimi i Listës Serbe është kundër shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale.

“Ekziston nevoja që Gjykata Speciale të gjykojë dhe dënojë të gjithë ata që kanë kryer krime dhe të gjithë ato ngjarje që s’kanë përgjigje të marrin përgjigje”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme