Zyrtari i lartë serb në Kosovë Dalibor Jevtiq, nënkryetar i Qeverisë së Kosovës e ministër për Komunitete e Kthim në dorëheqje, ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucioneve pjesë e të cilave është pas incidenteve, që ai dhe disa medie serbe i kanë quajtur vjedhje e plaçkitje.
Sipas Jevtiqit, vjedhjet e shpeshtuara të pasurisë nëpër fshatrat serbe gjatë disa muajve të fundit në tërësi e ndalojnë kthimin dhe bëhet presion në serbët e mbetur që të ikin nga viset ku janë bërë vjedhjet.
Pas plaçkitjeve më të reja që sipas b92, kanë ndodhur në Babimoc dhe në Milloshevë, ky portal e citon Jevtiqin të ketë thënë se familjet e dëmtuara gjithnjë e më rrallë e paraqesin rastin në Polici, pasi, thotë ai, ato e kanë humbur shpresën se aktorët do të kapen, do të dërgohen para drejtësisë dhe do ta marrin dënimin e merituar.
“Në mënyrë që besimi i ndërsjellë ndërmjet dy popujve, serb e shqiptar, por e dhe besimi tek institucionet të jetë në baza të forta, Policia e Kosovës dhe sistemi i drejtësisë duhet më aktivisht të punojnë në ndalimin e këtyre akteve ose të aktiviteteve të ngjashme të grupeve ose individëve. Pos që sjellin shqetësime te serbët, këto dhe incidente të ngjashme, sjellin dëme shumë të mëdha në procesin e kthimit dhe mbetjes së popujve jo shumicë në Kosovë”, ka thënë Jevtiq.
Ai ka thënë se serbët kanë vullnet të mbesin në pronat e veta dhe se Ministria për Komunitete e Kthim me kapacitet e veta që ka do t’iu ndihmojë ta realizojnë këtë qëllim.
“Kërkoj, kush e di për të satën herë, që edhe institucionet tjera në Kosovë të përfshihen në atë që është interes i shoqërisë kosovare, e ai është që paqja, stabiliteti dhe sundimi i ligjit të jenë përherë të pranishme”, tha Jevtiq duke kërkuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare që, siç tha, të bëjnë më shumë në ndalimin e plaçkitjeve të serbëve në Kosovë.